Një ngjarje tragjike është regjistruar pranë ishullit turistik të Balit në Indonezi.
Një target është fundosur, ku si pasojë humbën jetën gjashtë persona si dhe shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur. Sipas raportimeve, trageti transportonte 53 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit në momentin kur u fundos.
Mjeti lundrues po udhëtonte nga Banyuwangi, në bregun lindor të ishullit Java, drejt Balit.
Zyra e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit ka konfirmuar se 31 persona janë shpëtuar deri tani, ndërkohë që përpjekjet për kërkim dhe shpëtim vazhdojnë me intensitet.
Autoritetet kanë nisur një hetim mbi shkaqet e aksidentit. Sipas të dhënave paraprake, operatori i tragetit kishte sinjalizuar probleme me motorin pak përpara se të ndodhte fundosja. Një zyrtar lokal, duke iu referuar mediave vendase, ka përmendur gjithashtu motin e keq si një nga shkaqet e mundshme.
Dëshmitë e pasagjerëve të mbijetuar hedhin dritë mbi momentet dramatike gjatë fundosjes.
Njëri prej tyre, Imron, tregoi se trageti u anua tri herë para se të përmbysej, dhe në herën e fundit, uji kishte hyrë brenda në kabinë. Ai arriti të notonte në një hapësirë të zbrazët të tragetit dhe të hidhej në det, ku më pas u shpëtua nga një peshkatar.
Një tjetër i mbijetuar, Bejo Santoso, i tha agjencisë Antara se trageti u përmbys vetëm tre minuta pasi nisi të lëkundej.
“Arrita të hidhesha në momentin e fundit”, u shpreh ai.





