98 subjekte private janë aprovuar për menaxhimin e hapësirës së plazheve në Vlorë nga 214 që ishin një vit më parë.
Ajken Hoxha, inxhinier pranë Drejtorisë së Menaxhimit të Aseteve dhe Pronave Publike, në bashkinë Vlorë ka theksuar se aktualisht është duke u pritur miratimi i të gjitha kontratave nga Agjencia e Bregdetit dhe Ministria e Turizmit për të nisur më pas ndarja e parcelave të plazheve.
Nga 98 subjektet e aprovuara deri tani, prioritet do të kenë kryesisht hotelet apo subjektet që kanë dhoma pushimi dhe ndodhen pranë bregut të detit.
Duke ju referuar faktit se deri tani nuk ka patur probleme, Hoxha thekson se ato subjekte që nuk kanë dhoma pushimi nuk do të menaxhojnë plazhe, ndërsa zona e Zvërnecit sipas tij pritet të jetë kryesisht plazh publik dhe do të menaxhohet nga bashkia e Vlorës, ashtu si do të ndodhë edhe në zona të tjera.
Vlora pritet të jetë gati me ndarjen e parcelave të plazhit duke nisur nga data 1 qershor, kjo edhe pasi të kenë përfunduar të gjitha aplikimet.
Duket se këtë vit do të përfitojnë më pak subjekte private pasi do i jepet prioritet hoteleve apo subjekteve që kanë dhoma pushimi, ndërsa pjesa tjetër e plazheve do të jetë hapësirë publike./vizionplus.tv





