Aktori i madh dhe shumë i dashur për publikun shqiptar, Agron Llakaj, ka mbushur sot 65 vjeç. Por ndryshe nga çdo herë tjetër, këtë përvjetor ai e ka përjetuar me një emocion të veçantë dhe të thellë, duke ia kushtuar kujtimit të bashkëshortes së tij të ndjerë, Kostandina, e cila u nda nga jeta rreth një vit më parë.
Në një mesazh të ndjerë të publikuar në rrjetet sociale, Llakaj shpreh dhimbjen dhe mungesën që ndjen në këtë ditë të rëndësishme për të. Ai tregon se për herë të parë, ditëlindja e tij i duket si një “numër i zbrazët”, pasi ajo që e bënte të veçantë festën – prania dhe drita e syve të bashkëshortes – nuk është më.
“E dashur dhe e shtrenjtë, Kostandina,
Unë sot 65 vjeç… por për herë të parë, ditëlindja e kësaj moshe më duket si një numër i zbrazët. Sepse ti nuk je këtu. Nuk je këtu që të qeshësh mes nesh si çdo herë, kur ndiznim atmosferën me të qeshura pa fund…”
Duke ndarë ndjenjat e tij me ndjekësit, Llakaj shpreh mirënjohjen për dashurinë, familjen dhe jetën që ndërtuan së bashku. Në mesazhin e tij prekës, ai e cilëson këtë ditëlindje si një ditë falënderimi për gjithçka që bashkëshortja e tij përfaqësonte.
“… dhe unë vazhdoj të jem ende këtu, duke ecur ngadalë drejt mbrëmjes së jetës, me emrin tënd në çdo hap, me ty në çdo frymë. Përgjithmonë yti, Agroni.”
Ky dedikim i sinqertë ka prekur qindra ndjekës dhe miq të aktorit, të cilët kanë reaguar me komente ngushëlluese e përplot dashuri. Agron Llakaj, një nga figurat më të dashura të humorit shqiptar, vazhdon të tregojë se përtej skenës është një shpirt i ndjeshëm dhe një njeri me vlera të larta familjare.
/vizionplus.tv





