Londër – Dy avionë luftarakë rusë që po fluturonin pranë hapësirës ajrore të NATO-s u zbuluan nga avionët luftarakë britanikë (RAF) në dy raste të ndara gjatë kësaj jave, ka njoftuar Ministria britanike e Mbrojtjes.
Më 15 prill, dy avionë Typhoon u ngritën nga baza ajrore Malbork në Poloni për të kapur një avion zbulues rus të tipit Ilyushin Il-20M “Coot-A” mbi Detin Baltik.
Ndërsa më 17 prill, një tjetër avion Typhoon u dërgua për të kapur një avion të panjohur që po largohej nga hapësira ajrore e Kaliningradit, shkruan BBC.
Këto ishin përgjimet e para të RAF që kur avionët mbërritën në rajon për të filluar mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s, duke punuar së bashku me Suedinë.
Ministri për Forcat e Armatosura, Luke Pollard, deklaroi se Britania është “e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj NATO-s”.
“Me rritjen e agresionit rus dhe kërcënimeve të sigurisë, ne po ndërmarrim hapa për të siguruar aleatët tanë, për të frenuar kundërshtarët dhe për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare përmes Planit për Ndryshim,” tha ai.
Pollard theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Suedinë, duke e cilësuar këtë mision si provë të aftësisë për të operuar krah për krah me aleatët dhe për të mbrojtur hapësirën ajrore të NATO-s “kudo dhe kurdo që është e nevojshme”.
Kjo nuk është hera e parë që avionët RAF përdoren për të përgjuar avionë rusë pranë hapësirës ajrore të aleancës. Vetëm në vitin 2023, pilotët britanikë nga baza në Lossiemouth, Skoci, kapën 50 avionë rusë.
Incidentet si ky, të njohura si alarme të reagimit të shpejtë, janë operacione standarde për të identifikuar dhe ndjekur avionë që paraqesin rrezik të mundshëm, përfshirë avionë ushtarakë rusë apo edhe civilë në raste emergjente.
Në një rast të ngjashëm në tetor 2024, avionë luftarakë të RAF u ngritën për të shoqëruar një avion civil që kishte raportuar një bombë në bord. Incidenti përfundoi pa pasoja dhe avioni vazhdoi fluturimin e tij normalisht./vizionplus.tv





