Milva Ekonomi, anëtare e Komisionit Anti-Korrupsion, tha se qeveria është e vendosur për të vijuar punën në drejtësi, për të kërkuar përmirësimin e sistemit gjyqësor, llogaridhënien dhe përmirësimin në sistemet e drejtësisë.
Në një lidhje në Edicionin Qendror të Lajmeve në Televizionin Kombëtar, Vizion Plus, të moderuar nga Aleksandër Furxhi, Ekonomi u shpreh se PS nuk është kundër SPAK.
Ajo theksoi se e vetmja gjë që qeveria kërkon është që të hetohet sipas disa standardeve.
Intervista e plotë:
Dëgjesa me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës ishte një risi politike. Çfarë donte të arrinte Partia Socialiste me këtë ngjarje?
Ekonomi: Në fakt, dëgjesa me rektorin ishte e kërkuar nga rektori. Unë mendoj se ajo që donte të thoshte rektori ishte se, në njëfarë mënyre, kërkoi të merrej në një mbrojtje morale puna e bërë deri tani në UBT. Kjo ka qenë një përpjekje e vazhdueshme dhe donte të vendoste pak qetësi mes studentëve, pedagogëve të tjerë dhe prindërve të studentëve. Gjithashtu, nga ajo që unë kuptova, është që sistemi i drejtësisë duhet të konsiderojë pak edhe kriteret që ata kanë në botën e tyre akademike, ku disa mund të lejohen për vazhdimësinë normale të mësimit, për studentët që janë akoma në vitin akademik.
PS e ka bërë të qartë se nuk do të heshtë më për ato që i cilëson shkelje të standardeve të drejtësisë. Pse erdhi ky ndryshim pas arrestimit të kryebashkiakut?
Ekonomi: Nuk besoj që erdhi pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, është i hershëm. Edhe ngritja e një grupi pune për të parë më tej drejtësinë, ngritja e një komisioni të posaçëm, janë mendime dhe ide që vijnë nga partia jonë në Kuvend. Ne duhet të jemi të vendosur për të vijuar punën në drejtësi dhe për të kërkuar përmirësimin e sistemit gjyqësor, llogaridhënien dhe përmirësimin në sistemet e drejtësisë. Për aq kohë sa ne punuam fort, kemi arritur në atë pikën që kjo pavarësi të ketë një institucionalizim të vërtetë mbi bazën e vërtetë të standardeve. Gjithë institucionet që kanë lindur me reformën në drejtësi duhet të kalojnë atë që është një proces normal llogaridhënieje para Kuvendit. Monitorimi dhe kontrollimi janë detyra të Kuvendit të Shqipërisë.
Partitë kundërshtare thonë se PS është alarmuar se SPAK po godet shumë lart. Si i përgjigjeni ju kësaj?
Ekonomi: E vetmja gjë që ne kërkojmë është që të hetohet sipas disa standardeve. Ne jemi shumë të vendosur që drejtësia duhet të ketë pavarësinë e vet, por me disa standarde evropiane. /vizionplus.tv





