Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një podcasti ndau disa projekte konkrete që institucioni që ai drejton ka në plan të zhvillojë sa i përket transportit dhe parkimit të qytetit.
Një prej tyre është edhe ofrimi i linjave të shpejta të transportit publik.
“Ajo që ne duam të bëjmë është ajo që quhet linjat e shpejta të autobusit. Duam të bëjmë disa gjëra. Së pari, autobusi të lëvizë më shpejt dhe të ketë sa më pak ndërprerje. Së dyti, të ketë më shumë volum në mbajtje, pra të jenë të gjithë autobusë të gjatë që të duken si një tram ose si një metro, pra të ketë shumë më shumë volum një autobus,” sqaroi Veliaj.
Veliaj tha se qyteti ka nevojë për një metro, por kostoja e madhe ka bërë që projekte të tilla të mos konkretizohen. Megjithatë, ai premtoi se administrata e ardhshme do ta ketë një projekt të tillë gati.
“Kjo do të thotë që nëse do të bësh linjën Kinostudio-Kombinat, duhet të lësh 3 miliardë euro dhe 10 vjet Tirana s’duhet të bëjë asgjë tjetër, të mos paguajë as çerdhe, kopshte, shkolla, të mos sjellë ujë, të mos ketë energji. Pra, sot me buxhetin që kemi, është e pamundur. Megjithatë, ajo që besoj është se do t’i lëmë Tiranës në këtë mandat të paktën një blueprint, një propozim për një metro që do të ishte ideale për t’u implementuar ditën e parë që ne futemi në BE dhe kemi akses në fonde që janë sot përtej limiteve tona,” deklaroi Veliaj.
Veliaj shtoi më tej se pranë zonës së Pazarit të Ri, si dhe pranë Gardës së Republikës, do të ndërtohen dy parkime publike për t’iu përgjigjur zhvillimit të zonës.





