Prej disa muajsh, qeveria është në diskutime me një ekip ekspertësh të Bankës Botërore për të ndryshuar skemën e pensioneve në Shqipëri sepse numri i kontribuuesve aktualë është i pamjaftueshëm për të mbuluar nevojat e përfituesve.
“Po diskutojmë nëse do të reformojmë mënyrën sesi funksionon skema, nëse do të ketë nevojë për konsolidimin e shtyllës së tretë. Ose reforma parametrike që ka të bëjë me variablat dhe mënyrën sesi llogaritet pensioni, ku futen ndryshimet demografike, nëse do të ketë ndryshim të moshës së daljes në pension ose një përshpejtim të rritjes, ose do të bëhet rishikim i të gjithë parametrave për llogaritjen e pensionit”, tha Olta Manjani, zv.ministre e Ekonomisë.
Reforma në çdo rast, sqaroi zv.ministrja Manjani në Komisionin e Ligjeve, nuk do të përcaktojë një pension minimal.
“Masa e kontributit me masën e pensionit, të gjithë do të vazhdojnë të marrin mbrapsht atë që kanë kontribuuar kundrejt skemës së sigurimeve shoqërore. Kemi parasysh edhe parimin e qëndrueshmërisë, të universalitetit të skemës. Parimi i mjaftueshmërisë, për të gjitha pensionet që konsiderohen të ulëta, kemi zgjedhur një mënyrë alternative për të mos prekur parimin kontributiv. Ato pensione që konsiderohen të ulëta, do të kompensohen me bonuse që nuk do të jepet vetëm në fund të vitit, por edhe në periudha të tjera të vitit, në varësi të performancës ekonomike dhe të të ardhurave”, tha Manjani.
Aktualisht, pensionistët janë në pritje që në muajin shkurt, së bashku me pensionin të përfitojnë edhe bonusin e pranverës. Ky bonus do të jetë në masën 10 mijë lekë për ata që përfitojnë pension mujor nën 20 mijë lekë. Ndërsa ata që marrin pension mbi 20 mijë lekë në muaj, do të përfitojnë bonus 5 mijë lekë. /vizionplus.tv





