12 refugjatët të cilët u sollën në kampin e Gjadrit , janë rikthyer në Itali këtë të shtunë.
Emigrantët e paligjshëm u morën nga kampi në orët e para të mëngjesit dhe më pas nisja u bë nga Shëngjini me një anije të rojës bregdetare italiane që udhëtoi drejt Barit.
Lexo edhe :
Related Posts
Vendimi për kthimin mbrapsht të emigrantëve vetëm dy ditë pas vendosjes së tyre në vendin tone, vjen pas urdhrit të gjykatës së Romës një ditë më parë, e cila tha se vendet nga vinin emigrantët, konkretisht Bangladeshi dhe Egjipti nuk janë vende të sigurta. Për këtë arsye ata duhet të qëndrojnë në territorin e vendit ku kanë bërë kërkesën e azilit.
Skema është njësoj edhe për personat e mitur, personat vulnerabël, dhe gratë, gjë që ka minimizuar në maksimum numrin e personave të përshtatshëm për tu sjellë në Shqipëri.
Janë 22 vende të cilat shteti Italian i konsideron të sigurta, përfshirë Bangladeshin dhe Egjiptin nga kishin origjinën refugjatët e parë që u sollën në Shqipëri, por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga gjykata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, të cilës gjykata e Romës iu referua për vendimin e një dite më parë.
Ky vendim ishte një goditje për marrëveshjen miliona euroshe dhe shumë të diskutuar mes Romës dhe Tiranës.
Vendimi hedh dyshime të mëtejshme mbi realizimin dhe zbatimin e planeve të BE për emigrantët, të diskutuara edhe në mbledhjen e kësaj jave ku marrëveshja Shqipëri-Italia u sugjerua të merrej si model nga vetë presidentja e Komisionit europian.
Pas vendimit të gjykatës së Romës, kryeministrja Meloni u shpreh e vendosur duke thënë se Italia nuk do të tërhiqet nga kjo marrëveshje Partia e saj gjithashtu, Vëllezërit e Italisë, dënuan vendimin e gjykatës ndërsa ministri i punëve të brendshme tha se do ta apelojë.
Opozita nga ana tjetër kritikoi ashpër qeverinë dhe e quajtën dështim marrëveshjen, duke përmendur faktin që vetëm udhëtimi i parë i 16 emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri kushtoi të paktën 250 mijë euro./vizionplus.tv







