Një ditë pasi gjykata Civile e Tiranës njohu zyrtarisht statutin e kuvendit të 11 dhjetorit, të thirrur nga ish-kryeministrit Sali Berisha, anëtarë të grupit të Rithemelimit kanë shkuar sërish në selinë e PD.
Bëhet fjalë për deputetët Flamur Noka, Belind Kellici dhe ish-deputeti Kelvis Balliu. Gjatë fjalës së tij për mediat, Noka tha se demokratët do të bëjnë gjithçka për bashkimin e tyre dhe jo ndarjen. Sipas tij iku koha e bunkerizimit të partisë dhe të blindave.
“Takim paqësor, takim patjetër. Jemi kolegë, kemi të njëjtën aspiratë dhe kemi të njëjtin regjim përballë. jemi të hapur për çdo gjë. Nuk na ndal asgjë. Vetëm ndarje nuk kemi, tashmë gjithçka në funksion të bashkimit. Jemi në kontakt se do të takohemi. Asgjë nuk na ndal. Blindat dhe bunkeri hidhen pas. Jemi në çdo moment në kontakt me kolegët tanë deputetë, me drejtuesit e strukturave. Fryma jonë është bashkim, jo ndarje. Javës që vjen do të ketë mbledhje për të organizuar axhendën, për të gjitha betejat. Kemi folur me të gjithë, pa përjashtim. Kjo parti nuk është pronë e askujt. por është e demokratëve. Ne që na është dhënë votëbesimi, jemi një detyrë, që ta hapim atë dhe të bashkojmë demokratët, që ta bëjmë forcë fituese.”, tha Noka.





