Dhuna mes të miturve, një fenomen tashmë mjaft i përhapur, vijon të mbetet shqetësuese në shoqërinë shqiptare. Psikologët theksojnë se në formimin e sjelljeve të dhunshme ndikojnë një sërë faktorësh si mjedisi familjar, social dhe vështirësitë në menaxhimin e emocioneve.
“Së pari ka të bëjë me mjedisin në të cilin je rritur, familja është mjedisi i parë. Çfarë ofrohet në familje, si zgjidhen problemet në familje, si është komunikimi familjar, sa i njohur është fëmija me dhunën që në vegjëli. Më pas do kaloj tek mjedisi fizik, i cili bëhet nga shkolla, është edhe nga komuniteti, sa të qasshëm janë ata, çfarë shoqërie ka, çfarë mentaliteti ka, çfarë dukurish apo forma të argëtimit ata zgjedhin. Mjedisi online është një faktor tjetër që vitet e fundit është ndër faktorët më të rëndësishëm mbi ndikimin e dhunës. Sepse fëmijët e kanë edhe më të lehtë të shfaqen ashtu siç edhe nuk janë, online, të hakërrehen apo të hakmerren apo të shantazhojnë apo të bëjnë presion nëpërmjet mjedisit online”, tha Borjana Dine, psikologe
Sipas profesionistëve të shëndeti mendor, roli i psikologut është thelbësor në identifikimin dhe menaxhimin e problemeve emocionale te fëmijët si edhe ne parandalimin e rasteve të dhunës.
“Mund të themi që roli i psikologut është bërë edhe më vendimtar. Mendoj që është thyer pak tabuja e të kuptuarit mbi rolin e psikologut. Në këtë prizëm fëmijët e kanë shumë të rëndësishme që fëmijët të shprehin emocionet e tyre që psikologu të jetë aty në rreshtin e parë për të kuptuar gjendjen emocionale dhe psikologjike të një fëmije bashkë edhe me stafin. Ata janë personat e parë që mund të shikojnë luhatjet e një fëmije. Roli i psikologut të shkollës është vendimtar për të kuptuar mirë gjendjen, për të menaxhuar rastin, për të kuptuar se ku duhet të ndërhyhet dhe me cilat institucione apo aktorë të tjerë duhet të bashkëpunojë për të ardhur sa më në ndihmë në mënyrë që të mund të parandalojmë rastet”, shtoi Dine.
Psikologia nënvijëzon se komunikimi i vazhdueshëm me fëmijën është një nga elementët më të rëndësishëm në parandalimin e këtyre fenomeneve.
“Prindërit duhet të jenë shumë vigjilent, janë baza, janë hapi i parë, janë ata që njohin më mirë fëmijët e tyre. Komunikimi është shumë i rëndësishëm, të kenë një zgjidhje dhe të punojnë për zgjidhjen. Shkolla është edukator edhe mësuesit dhe psikologët, punonjësit social, oficerët. Institucionet duhet të punoj më fort dhe ligji duhet të ndryshojë”, tha psikologia.
Pak ditë më parë një 17-vjeçare u dhunua brutalisht nga dy 15-vjeçare, ndërsa një tjetër filmonte skenën e dhunës. Pamjet të cilat u shpërndanë gjerësisht në rrjete sociale, ngritën shqetësime mbi agresivitetin e akumuluar mes të rinjve, të cilët fatkeqësisht zgjedhin dhunën në vend të komunikimit.




