Nga Korça, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se Partia Socialiste do të vazhdojë të triumfojë në zgjedhjet e ardhshme.
Rama, në këtë 35 vjetor të PS, ka sjellë në kujtesën e shqiptarëve vitin 1996, ku sipas tij, përfaqësuesit e PS në atë kohë në opozitë dhunoheshin nga partia në pushtet, që ishte PD.
Ai theksoi se për koicidencë, këtë vit në 26 maj, Shqipëria u afrua një hap me BE.
Fjala e Edi Ramës në Korçë:
Shumë faleminderit dhe është kënaqësi e veçantë që jam këtu bashkë me ju në këtë park kaq të bukur gjithmonë, edhe gjithmonë e më të pasur me skulptura, me pastërti që shoqëron pasurimin e tij edhe me të gjithë ju këtu, që sot jeni mbledhur për të kremtuar një moment që lidh bashkë historinë me ardhmërinë dhe nuk mundet dot të përsëris që një koincidencë e madhe e bashkoi me një datë 26 majin, dy momente shumë domethënëse të historisë së Partisë Socialiste.
26 majin’96, kur socialistët u përballën me furinë e një dhune dhe me një brutalitet që faktikisht vuri të gjithë Shqipërinë përballë sfidës reale të ndërtimit të demokracisë, si një sfidë që u shfaq shumë herë më e madhe sesa çfarë dukej në fillim kur u përmbys diktatura dhe që vendosi Partinë Socialiste në një situatë jashtëzakonisht dramatike, ku ata të cilët ishin në vijën e parë, qoftë si përfaqësues të Partisë Socialiste për ato zgjedhje, qoftë drejtues të Partisë Socialiste në territor, qoftë si komisionerë të Partisë Socialiste u dhunuan, ashtu sikundër u dhunua tërësisht edhe rezultati i atyre zgjedhjeve që u grabitën nga pushteti i degraduar i Partisë Demokratike.
Dhe ai 26 maji sot, është i paparafytërueshëm për ata të rinj që ishin këtu apo për shumëkënd tjetër që është këtu dhe që nuk e ka jetuar atë moment dramatik.
Është e paimagjinueshme, sot Shqipëria ku opozita dhunohej rregullisht, ku kishte vetëm një ekran, ekrani i Radio Televizionit Shtetëror dhe në atë ekran nuk shfaqej asnjëherë opozita përveçse në ndonjë rast me pamje që mbuloheshin nga komenti negativ i spikerit të lajmeve.
Shqipëria e asaj kohe kishte vetëm një gazetë opozitare, e cila edhe ajo u bën shkrumb e hi, nga ai që ishte vërtetë një regjim brutal. Nuk mund t’i imagjinohet sot nga shumëkush që të ishte e pamundur, që të ishe në opozitë dhe të mos keqtrajtoheshe duke u denigruar dita-ditës.
E tha këtu njëri nga themeluesit e Partisë Socialiste të Korçës se si selia e Partisë Socialiste u fut në një cep, ndërkohë që, edhe vetë qielli filloi të përlotet edhe të vajtoj tani që po dëgjon se ç’ishte ajo kohë.
Unë ju premtoj që nuk do ju mbaj me një fjalim të gjatë nën shi, por dua vetëm që ta kthej tek 26 maji i para shumë pak ditëve, kur Partia Socialiste e ngjiti Shqipërinë edhe një majë më lart në rrugën drejt majës, që faktikisht është amaneti që kemi nga të parët tanë, është edhe borxhi që kemi fëmijëve tanë. Maja ku gjendet shtëpia e Europës së Bashkuar dhe ku pa asnjë diskutim, ne do të vendosim me se s’bën flamurin kuq e zi të Ismail Qemalit dhe të Gjergj Kastriotit.
Sepse Partia Socialiste është partia, e cila në këto 35 vjet ka dëshmuar se është e vetmja forcë politike që është në gjendje të ketë një marrëdhënie të drejtë me interesin kombëtar. E vetmja forcë politike që është në gjendje të ketë një marrëdhënie të drejtë me të shkuarën, është e vetmja forcë politike, që është në gjendje të ketë një marrëdhënie të drejtë edhe me botën, dhe është krenaria që pas një periudhe të gjatë vështirësish dhe denigrimi ja kemi ngritur kokën çdo shqiptari, kudo ku ndodhet në botë dhe i kemi dhënë Shqipërisë, emrit të saj një tingëllim krejt tjetër nga ai që kishte deri jo shumë vite më parë.
Mbi të gjitha është krenaria jonë, që sot Shqipëria ndodhet në një fazë tjetër.
Pasi kemi mbyllur fazën e çeljes së të gjithë kapitujve për negociatat, tani kemi hapur fazën e mbylljes së të gjithë kapitujve të negociatave. Çfarë nuk thanë e çfarë nuk do thonë, por le të thonë ç’të duan, ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi.
Unë do ndalem këtu, edhe një herë tjetër nuk dua që t’ju mbaj më gjatë nën shi, por nëse shiu filloi duke dëgjuar se ç’ishte Shqipëria, le të vazhdojë si bereqeti që do të kemi dhe le të bjerë mbi këtë festë të 35 vjetorit të Partisë Socialiste edhe këtu në Korçë duke paralajmëruar një fitore të jashtëzakonshme, si ajo që ne do të realizojmë të gjithë së bashku në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.





