Akademikë dhe studiues prezantuan rezultatet më të fundit të hulumtimeve shkencore mbi përbërjen gjenetike të popullatës shqiptare. Në simpoziumin e zhvilluar në Tiranë, është vënë në dukje se popullata moderne shqiptare paraqet vazhdimësi biologjike me popullatat e hershme të Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë simpozium ne kemi prezantuar të dhënat tona, që përfaqësojnë një kampion të popullatës shqiptare, të marrë nga të gjitha zonat e Shqipërisë, ku ne kemi analizuar, në këtë rast, atë që ne i quajmë markerë të kromozomit Y, të cilët në të vërtetë analizohen për të parë lëvizjet kryesisht të linjës mashkullore. Dhe në këtë rast, duke analizuar shpeshtësitë e markerëve të ndryshëm, ne konfirmojmë atë që është konfirmuar edhe më parë, që popullata e sotme shqiptare është vazhdimësia e popullatave të hershme që kanë populluar zonën e Ballkanit, atë pjesë që i takonte Ilirisë”, akademik, Ilia Mikerezi.
Në vijim u shpjegua se, pas rikthimit të stabilitetit politik në Ballkan gjatë periudhës bizantine, këto popullata nisën një rigjallërim demografik dhe gradualisht u rishpërndanë në territoret që sot njihen si hapësira shqipfolëse.
“Këto dy grupime të vogla që kanë mbijetuar, Berat, Skrapar, Korçë, Dibër, Mat dhe Martanesh, dhe grupimi më i madh që ka mbijetuar është nga zona që është sot Kosova, zona e Dardanisë. Tre bërthama ku popullata të vogla kanë mbijetuar, pastaj me rivendosjen e stabilitetit politik në Ballkan pas rënies dhe dyndjeve sllave dhe barbare, si dhe rivendosjes së sistemit romak apo bizantin, këto popullata në zona të thella malore kanë filluar një ripërtëritje demografike dhe më pas gradualisht janë rishpërndarë nga këto vatra”, Gjergj Bojaxhi, studiues.
Sipas studiuesve, kampionet janë mbledhur në të 12 qarqet e Shqipërisë, duke respektuar ndarjet tradicionale dialektore gegë dhe toskë, me synimin për të analizuar nëse kufijtë gjenetikë përputhen me kufijtë gjuhësorë.
“Ne kemi filluar kampionimin e popullatës shqiptare 3 vjet më parë, në vitin 2023. Kampionet janë marrë sipas 12 qarqeve të Shqipërisë, duke filluar nga veriu deri në jug, por duke respektuar pak zonat e dy nëndialekteve, toskë dhe gegë. Sigurisht, këto zona na janë bërë të njohura ose na janë ofruar nga gjuhëtarët tanë, të cilët i njohin shumë më mirë zonat ku janë nëndialektet, për të parë ose analizuar nëse të ashtuquajturit kufij gjenetikë përputhen me të ashtuquajturit kufij gjuhësorë”,akademik, Ilia Mikerezi.
Megjithatë, ata theksuan se kërkimi është ende në zhvillim dhe se zgjerimi i kampionimit pritet të sjellë rezultate edhe më të plota në të ardhmen.
/vizionplus.tv





