Një kontroll i befasishëm është zhvilluar mëngjesin e kësaj të shtune në ambientet e paraburgimit të Vlorës.
Sipas burimeve, forcat operacionale të sistemit penitenciar, në bashkëpunim me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DAPI), kanë mbërritur në institucion rreth 20 minuta përpara nisjes së kontrollit.
Mësohet se aksioni është shtrirë në disa sektorë të paraburgimit, ku po kryhen verifikime të detajuara në qelitë e të paraburgosurve, ambientet e përbashkëta si dhe në hapësira të tjera të brendshme të institucionit.
Kontrollet synojnë evidentimin e çdo sendi të ndaluar apo shkeljeje të mundshme të rregullave të sigurisë.
Deri në këto momente nuk janë bërë të ditura arsyet konkrete të këtij operacioni, ndërsa burime jozyrtare bëjnë me dije se kontrolle të tilla zhvillohen periodikisht në kuadër të forcimit të masave të sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Pritet që në orët në vijim autoritetet përkatëse të japin më shumë detaje lidhur me rezultatet e kontrollit dhe gjetjet eventuale që mund të kenë dalë nga ky aksion.
/vizionplus.tv





