Në Tiranë vijon operacioni policor i koduar “Fati i Lojërave”, në kuadër të të cilit është goditur një tjetër rast i organizimit të lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme.
Gjatë kontrolleve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, u arrestuan në flagrancë dy shtetas, një 33-vjeçar administrator i lokalit dhe një 20-vjeçar punonjës i tij.
Sipas hetimeve, në një lokal në rrugën “Ali Progri” organizoheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Gjatë operacionit u sekuestruan si prova materiale dy telefona celularë dhe sende të tjera që përdoreshin për këtë aktivitet të paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia e Shtetit deklaron se do të vijojë kontrollet për goditjen e çdo rasti të lojërave të fatit të paligjshme dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo aktivitet të tillë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Vijon operacioni policor i koduar “Fati i Lojërave”, goditet një tjetër vatër e paligjshme e lojërave të fatit.
Në pranga administratori dhe kamarieri i lokalit ku organizoheshin lojëra fati.
Strukturat e Policisë së Shtetit intensifikojnë kontrollet dhe godasin pa ndërprerje çdo formë të paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit.
Në këtë kuadër, specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, gjatë operacionit policor të koduar “Fati i Lojërave”, arrestuan në flagrancë shtetasit K. Sh., 20 vjeç, dhe E. B., 33 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se në rrugën “Ali Progri”, në lokalin që administrohej nga shtetasi E. B., ku ishte i punësuar edhe 20-vjeçari, organizoheshin lojëra fati në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celularë, si dhe sende të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të goditur çdo tentativë për ushtrimin e lojërave të fatit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshëm.





