Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për zjarrin që përfshiu një pallat 12-katësh në zonën e njohur si “Farmacia 10”, ku janë sekuestruar kamerat e bizneseve përreth godinës.
Siç raporton gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj sipas materialeve filmike, pak minuta para nisjes së zjarrit në ambientet e jashtme të një marketi, shihen disa fëmijë duke luajtur në sheshin kryesor të pallatit. Dy prej tyre afrohen pranë mbeturinave të kartonit të lëna jashtë marketit dhe, pasi largohen nga grupi, duket sikur hedhin një letër brenda kutive të kartonit. Rreth shtatë minuta më vonë, në pamje shfaqen flakët që përfshijnë fasadën e godinës.
Ditën e djeshme janë marrë në pyetje në Komisariatin Nr. 4 disa fëmijë, banorë të pallateve pranë, në prani të psikologut dhe prindërve të tyre.
Megjithatë, grupi hetimor po shqyrton edhe një pistë tjetër, atë të hedhjes së një bishti cigareje të ndezur nga katet e sipërme të pallatit.
Deri tani, rreth 30 apartamente raportohet të jenë shkrumbuar plotësisht. Fatmirësisht nuk ka viktima, por 11 persona kanë mbetur të lënduar, jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me përgjegjësinë, policia ka arrestuar katër persona: administratori i pallatit Agron Cara, menaxherja e marketit Razie Sula, si edhe inxhinieri i kompanisë Enver Ademi dhe Altin Furtuna, kontraktori që ka bërë fasadën Në hetim në gjendje të lirë është edhe pronari i kompanisë “Arlis”, Armand Lilo.
Menaxherja e marketit ka deklaruar se është e pafajshme për zjarrin, por është arrestuar për shkak të mbeturinave të lëna jashtë, të cilat dyshohet se ndikuan në përhapjen e flakëve. Ndërkohë, kontraktori i fasadës ka thënë se nuk mban përgjegjësi, duke pretenduar se materialet ishin të padjegshme dhe se është në proces gjyqësor me firmën ndërtuese. Administratori i pallatit është arrestuar pasi pajisjet e fikjes së zjarrit nuk kanë qenë funksionale.
Ekspertët po vlerësojnë nëse godina është ende e banueshme, pasi temperaturat e larta mund të kenë dëmtuar kolonat mbajtëse. Sipas raportimeve, fasada ventiluese përmbante materiale plastike dhe me përmbajtje zifti, të cilat rezultuan lehtësisht të djegshme.
Banorët e prekur janë strehuar te të afërmit ose në hotele, ndërsa ende nuk ka një zgjidhje zyrtare për akomodimin e tyre. Hetimet vijojnë.
/vizionplus.tv





