Dikush u vonua për në punë, e dikush për në universitet. Reduktimi i flotës, i paralajmëruar nga shoqatat e transportit urban për shkak të rritjes së çmimit të naftës, solli fluks pasagjerësh dhe pritje të gjata në stacionet e autobusëve në Tiranë.
“Po bëjmë një orë që presim këtu, autobus nuk ka.”
Lexo edhe :
“Kam gati një orë që jam duke pritur, gjendja është për ibret.”
“Sapo erdha nga Durrësi, megjithëse kështu ka qenë gjithmonë.”
Me flotën e autobusëve që sot është pothuajse përgjysmuar, shoqatat e transportit publik u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin masa, pasi pritja në stacione do të dyfishohet.
“Sot operatorët në Tiranë po punojnë me rreth 40% më pak të flotës, ndërsa në rrethe situata është edhe më e rëndë. Kemi njoftuar qytetarët që të marrin masa dhe të lëvizin më herët për të mbërritur në kohë. Siç shihet nga terreni, është një situatë e vështirë dhe e pakëndshme, ku nuk dihet as kur mbërrin autobusi dhe as nëse ka vende të lira”,thotë Dashnor Mema, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban.
Edhe pse gjatë një takimi mes shoqatës dhe përfaqësuesve të Ministria e Ekonomisë u la që do të merreshin masa, deri tani nuk ka një vendim konkret. Kërkesat e operatorëve mbeten të njëjta me ato të paraqitura edhe në vitin 2022, kur çmimi i naftës u rrit pas nisjes së luftës në Ukrainë.
“Të gjitha kërkesat janë në tryezë. Ajo që është e domosdoshme është një subvencion i drejtpërdrejtë për litër karburanti. Më pas, në varësi të situatës, kërkojmë ulje të TVSH-së në shitje, heqjen e taksës së qarkullimit dhe rimbursime të tjera që do ta bënin transportin sërish funksional për qytetarët”, tha Mema.
Ndërkohë, burime pranë Ministrisese Ekonomisë bëjnë me dije se ende nuk ka një vendim për kërkesat e shoqatës së transportit, të cilat janë dorëzuar prej javësh pranë institucionit.






