Operacioni “Ghost Call”, për goditjen e mashtrimit kompjuterik të kryer nëpërmjet call centerave, rezultat i një hetimi të thelluar nga strukturat për hetimin e krimit kibernetik, gjatë 2 viteve. Hetimi nisi me iniciativën e strukturave për hetimin e krimit kibernetik, pas një kërkese për informacion të ardhur nga autoritetet austriake, dhe rezultoi me zbulimin dhe dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Me vendimin nr. 3410 të datës 13.04.2026, Gjykata e Tiranës lejoi kontrollin në 3 subjekte në Tiranë, si dhe në 9 banesa të shtetasve të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Gjatë ndërhyrjes, në këto ambiente u gjetën shtetas të punësuar si operatorë, duke kryer mashtrim kompjuterik.
Në vijim të veprimeve procedurale, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, u ekzekutuan 5 nga 7 masa sigurie “Arrest në burg”. Konkretisht, u ekzekutua kjo masë, për shtetasit E. D., 47 vjeç, M. H., 23 vjeç, T. A., 22 vjeç, L. T., 32 vjeç dhe Xh. M., 28 vjeç. Me të njëjtën masë, u shpallën në kërkim shtetasit Xh. H., 30 vjeç dhe M. L., 28 vjeç.
Më tej, u ekzekutuan masat e sigurisë “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për shtetasen A. V., 33 vjeç. Ndërkaq, me të njëjtat masa u shpall në kërkim shtetasi L. C., 25 vjeç.
Në vijim të operacionit “Ghost Call”, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Kristjan Buda 38 vjeç, Benard Biba 25 vjeç, Kleidi Dyrma 25 vjeç, Ema Taip 32 vjeç, Eno Hana 26 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. J., 24 vjeç.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas kishin rol drejtues në ekipet e përfshira në këtë veprimtari.
Ekzekutimi i vendimeve u realizua nga oficerët e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe në koordinim të plotë me hetues nga autoritetet austriake dhe ekspertë të Europolit, pjesëmarrës në operacion.
Gjatë kontrolleve u gjetën 891 735 euro, 443 kompjuterë, 238 celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera (HDD, DVR), të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Ndërkaq, vijojnë hetime për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në të.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në luftën kundër krimit kibernetik, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshuar në këtë fushë, dhe garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.





