Gazetarja Mirilda Tili tha se qytetarët shqiptarë mund të detyrohen të kursejnë në mënyra drastike, duke hequr dorë nga shpenzime që dikur konsideroheshin normale, si drekat e fundjavës apo kurset e fëmijëve.
E ftuar në studion e QUO VADIS në Vizion Plus, Tili paralajmëroi se, përveç rritjes së kostove, ndryshimet në mjedisin ekonomik dhe sigurinë e përgjithshme po ndikojnë psikologjikisht tek familjet, duke i detyruar të përshtatin buxhetin për të përballuar shpenzimet thelbësore.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Çfarë do t’u këshilloja apo do t’u sugjeroje qytetarëve që na ndjekin sot në një situatë të tillë? Pra, cilat janë masat mbrojtëse dhe mekanizmat që ata mund të përdorin për të qenë të mbrojtur në raport me këtë situatë?
Tili: Në këtë rast, çdo konsumator, pavarësisht nivelit të të ardhurave, qofshin ato mbi mesataren, mesatare apo të ulëta, nuk ka asgjë në dorë, sepse teoria e kursimit është shpesh një teori e rreme. Familjarët e dinë vetë se sa të ardhura sigurojnë dhe sa është kapaciteti i tyre për të shpenzuar. Është e sigurt se do të heqin dorë nga ato që konsiderohen shpenzime luksi. Është e trishtë që në vitin 2026 pushimet e fundjavës të konsiderohen luks, por njerëzit do të detyrohen të heqin dorë edhe prej tyre, sepse kostot do të jenë më të larta. Uroj që ky konflikt të mos zgjasë jo vetëm për shkak të konfliktit në vetvete, por që efekti i tij të mos jetë afatgjatë dhe të mos rritë frikën te njerëzit për sigurinë e tyre. Mjedisi i sigurisë ka ndryshuar, gjë që sjell ndryshime edhe në mjedisin ekonomik dhe atë psikologjik. Duhet të bëjmë kujdes që të mos na kapë paniku dhe të mos bëjmë shpenzime frike. Kam përshtypjen se qytetari nuk ka shumë në dorë për të bërë. Jam e bindur se çdo kryefamiljar e di shumë mirë se sa të ardhura fut në shtëpi dhe sa duhet të shpenzojë për të paguar faturat e domosdoshme. Siç e thashë, do të hiqet dorë nga një fundjavë pushimi, nga një drekë apo darkë jashtë, apo edhe nga kurset e fëmijëve, nëse dikur shkonin në tri kurse, do të shkojnë në dy ose vetëm në një.
/vizionplus.tv





