Pas 12.4 milionë turistëve që vizituan Shqipërinë në 2025, fokusi i qeverisë për këtë vit është jo vetëm ruajtja e numrave, por edhe menaxhimi më i mirë i sezonit veror, duke lënë më shumë hapësirë për plazhe publike dhe duke ofruar një shërbim më të mirë nga stafet.
“Jemi duke punuar për rritjen e hapësirës së plazhit publik, për mirëmenaxhimin e stacioneve dhe këtë vit kemi sjellë risinë e vetëmenaxhimit krahas atij nga subjektet private që ata në ato zona e harta që bashkia konstaton. Reduktimi i beach bar-eve, ulja e ndotjes mjedisore dhe akustike dhe rritja e këndit të sportit e lojërave. Po ashtu, nisim punën për Akademinë Kombëtare të Turizmit për shëbrimin në sektorin e turizmit. Do të kemi trajnime të vazhdueshme për stafet, përshtatje të kurrikulave”, tha Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Prioritet mbetet edhe shtrirja e turizmit gjatë gjithë vitit, duke sjellë vizitorë në Shqipëri edhe për evente, konferenca apo aktivitete të tjera dhe jo vetëm për plazh.
“Turizëm gjithëvjetor përmes turizmit të eventeve që strukturat të kenë kapacitete jo vetëm në shtretër, por për të përballuar aktivitete. Është i rëndësishëm turizmi i eventeve, malor, ekologjik, gastronomik e kulturor.”
Gjatë këtij viti, synohet formalizimi i tregut të njësive akomoduese me qira afatshkurtër. Po ashtu, ministri Blendi Gonxhnja deklaroi gjatë konferencës se investimet me 4 dhe 5 yje me status special nuk do të jenë të përqendruara më vetëm në bregdet, por edhe përtej.
/vizionplus.tv





