Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi stuhia e fuqishme Christine goditi Portugalinë qendrore dhe veriore, duke shkaktuar përmbytje të rënda, rrëshqitje dheu dhe dëme të mëdha materiale. Autoritetet portugeze e përshkruan fenomenin si një “ngjarje ekstreme”, ndërsa situata mbetet kritike në disa rajone.
Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta, që në disa zona arritën shpejtësi deri në 178 km/orë, rrëzuan pemë, çati dhe struktura, duke shkaktuar mbi 3 mijë incidente në të gjithë vendin. Distrikti i Leirias rezulton ndër më të prekurit, ku u raportuan edhe shumica e viktimave.
Më shumë se 850 mijë persona mbetën pa energji elektrike, ndërsa transporti rrugor dhe hekurudhor u ndërpre në shumë zona. Në qytetin bregdetar Figueira da Foz, një pjesë e çatisë së një ndërtese u shkëput dhe goditi disa automjete.
Autoritetet shpallën alarm të kuq në dhjetë zona bregdetare për shkak të dallgëve që arritën deri në 14 metra. Kryeministri i Portugalisë shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa po vijon vlerësimi i dëmeve në nivel kombëtar.
/vizionplus.tv





