Shtylla kryesore e eksporteve shqiptare ka qenë manifaktura, industria tekstile dhe këpucë. Por viti pas viti për një sërë arsyesh, ku në plan të parë është luhatja e kursit të këmbimit, kjo industri është në një krizë të thellë. Florian Zekja, i ftuar në emisioni “E-ZONE”, tha se sektori po shkon drejt shuarjes.
Shifra të sakta pak vështirë të ketë, por unë di që nga viti 2023 deri në vitin që lamë pas ne si sektor numërojmë rreth 10 mijë punëtorë më pak, nga një total që ka qenë në 70-80 mijë.
Por sipas Zekjas ka një dritë në fund të tunelit. Krijimi i kompanisë shtetërore të mbrojtjes, që do të merret me prodhimin dhe shpërndarjen e uniformave të forcave të armatosura.
“Ky është një lajm i mirë për ne. Qeveria ka premtuar se do të përfshijë në këtë proces kompanitë vendase të manifakturës. Kjo i jep frymëmarrje sektorit dhe është një masë në drejtimin e duhur“, – tha Zekja.
Por deri në konkretizimin dhe nisjen e punës, sektori ka nevojë për një plan të mirëfilltë rimëkëmbje.
“Ne i kemi paraqitur qeverisë një plan për rimëkëmbjen e sektorit. Janë një sërë masash që mund të zbatohen për të mos çuar drejt mbylljes së plotë të kësaj industrie. Një prej masave që kemi kërkuar është përjashtimi nga tatim fitimi për dy vite“, – tha Zekja në Vizion Plus.
/vizionplus.tv





