Momente të vërteta frike përjetoi skiatorja dhe çiklistja profesioniste spanjolle, Ares Masip, kur pa dashje shkaktoi një ortek dëbore në Malet e Pirenejve, i cili e mori me vete atë dhe qenin e saj.
Siç shihet edhe në pamjet që ajo publikoi në Instagram, zbritja nga një lartësi prej 2.400 metrash në malin Pic de l’Hortell, në Andorrë, kishte nisur normalisht. Papritur, një ortek u shkëput dhe nisi të rrëshqasë me shpejtësi.
E tmerruar, Masip u përpoq njëkohësisht të mos mbulohej nga dëbora dhe të shpëtonte edhe qenin e saj, që ndodhej pranë saj në momentin kritik.
“Mali filloi të shembej“, tregoi ajo për BBC-në, duke shtuar se duhet dhe ke detyrim të bësh gjithçka për të ulur rreziqet.
Në postimin e saj në Instagram, Masip shpjegon se zona ishte “shumë e njohur” për të. «Këtë vit e kisha zbritur 7 ose 8 herë. Ndërsa gjatë pesë ditëve të fundit, kjo ishte hera e tretë», shkruan ajo.
View this post on Instagram
“Nuk është se kushtet ishin të sigurta, por dukeshin të sigurta. Megjithatë, është e rëndësishme të kujtojmë se rreziku zero nuk ekziston. Sot ishte një përvojë e frikshme, por edhe një mësim i rëndësishëm në nivel personal“, përfundon skiatorja spanjolle.





