Zyrtarisht nga ky janar hyri në fuqi sistemi bonus-malus, pra sigurimi i makinës do të varet nga sjellja individuale në timon. Për vitin e parë të aplikimit të këtij sistemi shoqata e siguruesve të Shqipërisë thotë se efekti do të jetë 4 milion euro.

Sipas të dhënave rezulton se 96% e shoferëve kanë patur sjellje korrekte në 2025, pa dëme, ndërsa 4 % të tjerë do të preken nga shtrenjtimi i policës së sigurimit. E thënë ndryshe, nga 750 mijë kontrata sigurimi, TPL të prera në vitin që lamë pas, 30 mijë prej tyre janë nga shoferë që kanë kryer dëm dhe do të pësojnë shtrenjtim të sigurimit.
Xhevdet Kopani drejtor në një prej kompanive në treg i ftuar në emisionin E-ZONE shpjegoi se sa do të jetë ulja dhe shtrenjtimi i policës së sigurimit.
“Nga ky muaj kemi nisur të zbatojmë sistemin bonus malus. Vetëm për vitin e parë të zbatimit efekti arrin në 4 mln euro, pra kaq është shuma që do të marrin shqiptarët si bonus, për ata që konsiderohen shoferë të rregullt. Shuma nuk është e vogël, pasi këto janë para që do të ulin të ardhurat e kompanive. Nga përllogaritjet me faktorët e riskut bonusi që do të përfitojë një shofer që nuk ka bërë dëme në 2025, arrin deri në 5% ulje. Ndërsa ata që kanë kryer një dëm shtrenjtimi nis nga 20-30%, për ata që kanë kryer dy dëme, shtrenjtimi arrin deri në 40%”, tha Kopani në Vizion Plus.
Një nga debatet e sistemit bonus malus është fakti që viti zero është marrë në 2025. Pra ky sistem, nis të përllogarisë sjelljen e shoferit nga viti 2025. Ekspertët e kanë kundërshtuar këtë fakt, pasi nuk mund të zerohet eksperienca e një drejtuesi mjeti dhe të merret për bazë vetëm viti i fundit. Z. Kopani shpjegoi arsyet pse është marrë një vendim i tillë.
“Në 2024 u miratua udhëzimi përkatës. Ligji ka dalë në 2021. Pra nuk mund të penalizosh një klient për dëmet që ka bërë para se të dilnin të gjitha aktet ligjore. Pra është rregull strikt që ligji s’mund të të ketë efekt paraveprues”, shpjegoi Kopani në emisioni E-ZONE
Sistemi bonus malus zbatohet vetëm për autoveturat dhe jo për mjetet e tjera. Në total në vitin që lamë pas numri i autoveturave në vend arriti në mbi 800 mijë.






