Rreth 150 punonjës të firmës nënkotraktore të Bankers Petroleum, “Global Energy“, kanë dalë paraditen e kësaj të marte në një protestë pranë zyrave të kompanisë në Fier.
Ata thonë se kanë vonesë të pagave për shkak të pamundësisë financiare të kompanisë me pretendimin se Bankers nuk ka shlyer detyrimet ngaj Global Energy.
Situata ka qenë problematike prej disa muajsh, por nëntori është muaji i parë që kompania nuk mundet të paguajë punonjësit. E megjithatë ajo çfarë i shqetëson më shumë, është vijimësia e kompanisë pas deklaratës zyrtare se dogana ka bllokuar infrastrukturën nxjerrëse të vendburimit të Patos- Marinzës.
Punonjësit pohojnë gjithashtu se të gjitha firmat nënkontraktore ndodhen në këtë situatë kolapsi, dhe nëse nuk do të ketë asnjë reagim, të gjithë punonjësit do të bëhen bashkë me protesta të vazhdueshme.
Prej disa muajsh tashmë Bankers Petroleum ndodhet në një krizë për shkak të një hetimi nga prokuroria e Fierit ku u zbulua se kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, ka shmangur për vite të tëra me radhë taksat. Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2004–2024, kompania ka eksportuar dhe shitur naftë me një vlerë totale prej 532 miliardë lekësh, rreth 5 miliardë euro, por ka deklaruar humbje prej 11.7 miliardë lekësh dhe nuk ka paguar asnjë tatim-fitimi.





