Drejtoria e Policisë Rrugore ka bërë me dije se janë marrë masat për menaxhimin e trafikut në sezonin e verës dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë, janë angazhuar 550 punonjës të Policisë Rrugore, radarë, kamera, alkoolteste, automjete të uniformuara dhe motoçikleta.

Policia Rrugore iu kërkon drejtuesve të mejteve që të respektojnë normat e sjelljes dhe mos të drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

“Vendosni përherë rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse kur drejtoni mjete/motomjete. Evitoni parakalimet e gabuara, pasi janë rreziku më potencial për aksident rrugor dhe për bllokim të trafikut. Mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit. Qëndroni në radhën e mjeteve kur ajo krijohet për shkak të ngarkesës së madhe. Dalja nga “kolona” mund t’ju kushtojë një gjobë së bashku me pezullim të lejes së drejtimit 2-4muaj. Duke respektuar normat, vajtja dhe ardhja nga plazhet është më e shkurtër dhe pa vonesa. Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që mos të nisen të gjithë në të njëjtin orar nga plazhet drejt banesave të tyre, si dhe të përdorin edhe rrugët alternative, me qëllim shmangien e krijimit të fluksit të pandërprerë në rrugë nacionale, nëhyrje apo dalje të qyteteve. Njëkohësisht apelojmë për këmbësorët të respektojë me korrektësi rregullat e qarkullimit, të kalojnë në vijat e bardha dhe mbikalimet dhe aty ku ato mungojnë të kontrollojnë rrugën nga të dy senset e lëvizjes pastaj të kalojnë në krahun tjetër të rrugës”, janë këto disa nga këshillat e Policisë Rrugore.

Në zbatim të udhëzimit “Mbi kufizimet në qarkullimin e mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave”, nuk do të lejohet lëvizja e kamionëve në fundjavë jashtë orareve dhe akseve të përcaktuara në këtë udhëzim.

“Personat fizikë dhe juridikë që operojnë në fushën e transportit rrugor të mallrave, të planifikojnë lëvizjet e tyre në ditët dhe oraret e lejuara, në akset rrugore alternative që nuk preken nga kufizimet, pasi nga ndërprerjet e qarkullimit mund t’u   shkaktohen edhe dëmtime të materialeve që transportojnë, përgjegjësi që bie plotësisht mbi ta. Nga shërbimet e Policisë së Shtetit do të kërkohet zbatimi rigoroz i kërkesave të këtij udhëzimi, duke i ndëshkuar shkelësit e kërkesave të udhëzimit, si dhe ndalimi i qarkullimit të mjeteve në kundërvajtje deri në oraret e lejuara për qarkullim”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *