Në emisionin “Mes Drite”, me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova, gjinekologu Elton Koroveshi foli për problematikat mjekësore që hasin çiftet e reja në përpjekjet për të sjellë një fëmijë në jetë, duke ndarë edhe një rast të pazakontë nga praktika e tij.
“Më ka rastisur një grua rreth moshës 51 vjeç, e cila kishte rreth 10 muaj që nuk i vinin menstruacionet dhe erdhi për një këshillim për periudhën e perimenopauzës”, tregoi mjeku. Ai shtoi se gruaja ishte shoqëruar nga vajza e saj dhe mendonte se simptomat që kishte lodhje, fryrje barku dhe mungesë cikli ishin shenja të menopauzës.
Por ekzaminimet zbuluan diçka krejt tjetër. “Konstatova që ishte nëntë muajshe shtatzënë. Ishte gati për të lindur dhe nuk e kishte kuptuar fare që ishte shtatzënë”, tha Koroveshi, duke e cilësuar rastin si shumë të rrallë dhe të vështirë nga ana emocionale.
Sipas tij, situata u bë edhe më delikate për shkak të rrethanave familjare: “Kishin pasur një fatkeqësi në familje, i kishte ndërruar jetë bashkëshorti, dhe ishte shumë e vështirë t’i thoje vajzës se nëna ishte shtatzënë”.
Megjithatë, mjeku theksoi se gjithçka përfundoi mirë: “Bebja që erdhi në jetë ishte në një gjendje shumë të mirë shëndetësore. Fatmirësisht, gjithçka shkoi mirë”.
View this post on Instagram
/vizionplus.tv





