Zhvillohet për herë të parë “Albanian Career & Business Summit UK 2026”: Mundësi të reja për karrierë, arsim dhe biznes

Londër– Punë, bursa, trajnime, bashkëpunime në biznes dhe mundësi të reja karriere. Këto do të jenë në fokus të “Albanian Career & Business Summit UK 2026”, që do të mbahet më 21 nëntor në Londër.
Samiti synon të mbledhë së bashku profesionistë, sipërmarrës, kompani, institucione arsimore, punëdhënës dhe organizata.
Përmes tij do të krijohet një hapësirë ku mundësitë të jenë më pranë njerëzve dhe ku komuniteti shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar të mund të lidhet drejtpërdrejt me institucione, kompani dhe profesionistë. Në fokus do të jenë punësimi, arsimi dhe bursat, kurset dhe trajnimet, zhvillimi profesional, sipërmarrja dhe rrjetëzimi në biznes.
Një prej elementëve kryesorë të samitit do të jetë prezantimi i vendeve të lira të punës dhe networking, duke u dhënë pjesëmarrësve mundësinë të njihen me pozicionet e disponueshme dhe të lidhen drejtpërdrejt me punëdhënësit gjatë samitit.
Por aktiviteti nuk do të fokusohet vetëm te tregu i punës. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin informacion mbi bursa, universitete, kolegje, programe profesionale, trajnime dhe mundësi për zhvillim të mëtejshëm në karrierë.
Një tjetër dimension i ketij samiti lidhet me biznesin dhe sipërmarrjen, përmes krijimit të hapësirave për kontakte profesionale, bashkëpunime, partneritete strategjike dhe lidhje të reja mes sipërmarrësve dhe kompanive.
Përtej karrierës dhe biznesit, organizatorët synojnë që samiti të ketë edhe një ndikim konkret në komunitetin shqiptar atje. Një pjesë e aktivitetit do t’i kushtohet informacionit mbi shërbimet sociale dhe format e mbështetjes që mund të jenë të disponueshme për individë dhe familje shqiptare në vështirësi. Përmes samitit do të krijohen ura lidhëse me organizata komunitare, institucione, organizata bamirësie dhe biznese që mund të ofrojnë ndihmë konkrete.
Pas kësaj nisme qëndrojnë një ekip me eksperiencë në gazetari, media dhe komunikim: Merjeme Tota, Beklie Koltraka dhe Isida Muço
*21 nëntor 2026 | 17:20–19:20 | 3 Maresfield Gardens, London NW3 5SS




