Subscribe

Lideri i LSDM, Zoran Zaev ka dëshmuar në Prokurori për aktet e dhunës së 27 prillit ne parlament, kur turma nacionalistësh maqedonas hynë me forcë në kuvend, duke sulmuar disa deputetë. Zaev dhe deputeti shqiptar Zijadin Sela ishin ndër më të dhunuarit. Zaev shpjegoi se hyrja e turmave në kuvend është organizuar nga 6 deputetë të VMRO-së që kishin si qellim vrasjen e ligjvënësve dhe dy prej tyre hapen dyert.

 

Sot jam në Prokurori si palë e dëmtuar, njëri nga ata që u sulmua më drejtpërdrejt nga një turmë, e cila kishte për qëllim që të kryente vrasje të planifikuara mirë. Dhashë dëshmi përpara prokurorit publik, i tregova të gjitha detajet për ato dy orë e gjysmë terror në sallë. Besoj se ajo do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes. Ua lë profesionalistëve ta konstatojnë se për çfarë vepre do të akuzohen autorët.”

 

Ndonëse thotë se i ka falur dhunuesit, Zaev nuk pret që të njëjtën gjë ta bëjë edhe shteti, pasi me drejtësinë duhet të përballen të gjithë ata persona ndaj të cilëve ekzistojnë dëshmi si organizatorë dhe autorë të dhunës.

 

Dëshmi në prokurori kanë dhënë edhe përfaqësues te tjerë te LSDM-së, që u vunë në shënjestër të dhunës. Deri tani Gjykata e Shkupit ka dhënë 32 ditë paraburgim për dy persona, at e bir, të dyshuar për tentativë vrasjeje me paramendim të deputetit Sela. Disa persona të tjerë akuzohen për pjesëmarrje në turmë. Ndërkaq, LSDM përmes një deklarate kërkon sërish që presidenti Ivanov t’i japë Zaev mandatin për formimin e qeverisë dhe të zhbllokohen proceset demokratike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *