Lionel Messi ka dalë këtë të diel përpara mediave në një konferencë për shtyp në orën 12:00, në “Camp Nou”, ku ka folur për lamtumirën e tij nga Barcelona.

 

Sapo u ngjit në podium për të marrë fjalën, ylli argjentias shpërtheu në lot, dhe u deshën disa minuta që ai të merrte veten.

 

Duke e konsideruar një ditë të vështirë për të, Messi theksoi se nuk e kishte imagjinuar kurrë që do të vinte momenti për të dhënë lamtumirën.

 

“Falenderoj të gjithë ata që na ndihmuan. Unë jam rritur me vlerat e kësaj shtëpie, duke e trajtuar veten me përulësi dhe respekt. Kështu veprova me të gjithë në këtë shtëpi dhe shpresoj që kjo të mbetet, përveç gjithçkaje që fitojmë. Kemi kaluar gjëra të vështira, por kjo na bëri të rritemi. Unë gjithmonë kam dhënë gjithçka për këtë klub, për këtë fanellë. Nga dita e parë në të fundit dhe jam më se i kënaqur. Faleminderit njerëzve për dashurinë e tyre përgjithmonë. Do të më pëlqente të thoja lamtumirë në një mënyrë tjetër. Unë kurrë nuk e imagjinoja lamtumirën time, por nuk do ta kisha imagjinuar në këtë mënyrë. Do të më pëlqente ta bëja në fushë, të kisha dëgjuar një ovacion të fundit. Më mungoi publiku në pandemi. Po tërhiqem nga ky klub pa i parë në më shumë se një vit e gjysmë. Nëse do ta kisha imagjinuar lamtumirën, do të ishte me një stadium të mbushur. Unë gjithmonë do ta dua këtë klub. Shpresoj se mund të kthehem për të qenë pjesë e këtij klubi në një moment. Shpresoj se mund të kontribuoj në mënyrë që ky të vazhdojë të jetë klubi më i mirë në botë. Jam i sigurt që kam harruar shumë gjëra, por kjo është ajo që mund të them tani, nuk jam në gjendje të mendoj dhe fjalët dalin”.

 

 

Messi pohoi se nuk e kishte menduar lamtumirën, por ja që futbollit kurrë nuk i dihet. Argjentinasi theksoi se një ditë do tw dëshironte rikthimin në Barcelonë, ndoshta në post drejtues. Leo Messi foli edhe për të ardhmen e tij gjatë konferencës për shtyp. I pyetur nëse PSG do të jetë skuadra e e ardhshme, argjentinasi u përgjigj:

“Është një mundësi, por nuk kam arritur akoma asnjë marrëveshje me asnjë klub. Kur largimi im nga Barcelona u bë zyrtar, kam marrë shumë telefonata, shumë klube ishin të interesuar. Por nuk kam arritur asnjë marrëveshje. Megjithatë, jemi duke folur.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *