E martë, 24 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Veliaj mungon për shkak të këmbës së thyer, Ols Dado dhe Dumani kundërshtojnë shtyrjen e seancës në GJKKO: Nuk provohet se e ka të pamundur

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk është paraqitur fizikisht në seancën e kësaj të marte në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku pritej të shqyrtoheshin kërkesat paraprake të mbrojtjes.

Në sallën e gjyqit është lexuar një mesazh i dërguar nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), përmes të cilit Veliaj ka shpjeguar arsyet e mungesës dhe ka kërkuar ndërhyrjen e gjykatës për të mundësuar operimin e këmbës së dëmtuar.

Avokati i tij, Plarent Ndreca, ka kërkuar që seanca të mos vijojë, duke argumentuar se nuk mund të ushtrojë mbrojtjen pa u konsultuar paraprakisht me klientin. Ai ka deklaruar se kishte tentuar ta takonte Veliajn një ditë më parë në IEVP Fier, por nuk ishte lejuar.

“Jam i pamundur ta vazhdoj mbrojtjen pa u konsultuar me klientin. Janë disa elementë që duhet t’i konfirmoj me të”, është shprehur Ndreca, duke kërkuar nga gjykata të marrë në konsideratë edhe situatën shëndetësore të kryebashkiakut.

Reklamë

Gjatë seancës, gjykata ka kërkuar sqarime nëse Veliaj e kishte të pamundur të lëvizte. Ndreca ka deklaruar se ai ka këmbën e thyer dhe lëviz vazhdimisht me paterica.

Nga ana tjetër, prokurori Ols Dado ka kundërshtuar shtyrjen e seancës, duke theksuar se Prokuroria disponon informacionet e saj për gjendjen e Veliajt dhe se nuk është provuar pamundësia e tij për të marrë pjesë në gjykim.

Edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, ka kërkuar vijimin e procesit gjyqësor. Ai ka kujtuar se seanca e mëparshme ishte shtyrë për t’i dhënë kohë mbrojtjes që të konsultohej me të pandehurin dhe se një javë ishte e mjaftueshme për këtë qëllim.

“Nuk më duket situatë serioze, as ligjore”, është shprehur Dumani, duke shtuar se çështja është dërguar për gjykim që në shtator të vitit 2025 dhe se shtyrjet e deritanishme, sipas tij, kanë ardhur për shkaqe që lidhen me të pandehurit ose mbrojtjen, dhe jo me SPAK.

Ai ka theksuar se Prokuroria e Posaçme kërkon që procesi gjyqësor të vijojë dhe çështja të shqyrtohet në gjykatë.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.