Gjykata e Posaçme cakton seancën paraprake për Belinda Ballukun dhe të pandehurit e tjerë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar datën 11 dhjetor 2026, ora 10:00, për zhvillimin e seancës paraprake për dosjen penale në ngarkim të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku dhe personave të tjerë.
Përmes një njoftimi zyrtar të GJKKO-së, konfirmohet se më 16 nëntor 2026, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka depozituar kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr. 136 të vitit 2025.
Në këtë dosje, përveç Belinda Ballukut, janë të pandehur edhe Viola Haxhiademi, Evis Berberi, Ergys Verdho, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Genti Raça, Miranda Shkurti, Jetmira Dervishi, Mirzeta Kashnica, Jonida Çeçe, Klarita Konomi, Arbër Troka, Adja Strazimiri, Anila Sulollari, Adrian Kroi, Gëzim Noni, Nikollaq Mihali, Eduart Agalliu, Arlinda Gordani, Denis Xhoxhi, Dhurata Lazaj, Joana Bushi, Igli Tare, Pandeli Carapuli dhe Arbër Abazi.
Në procedim janë përfshirë gjithashtu edhe dy persona juridikë, shoqëritë “Alko Impex General Construction” dhe “Eurocol” sh.p.k.
Seanca e 11 dhjetorit do të jetë seancë paraprake, ku gjykata do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për kalimin e çështjes në gjykim.




