Ibrahimaj prezanton e-Gjoba: Qytetarët dhe bizneset do të njoftohen në kohë reale për penalitetet

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sistemin elektronik “e-Gjoba”, duke e cilësuar atë si një tjetër hap në përmbylljen e reformës së inspektimeve dhe rritjen e transparencës ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Gjatë aktivitetit të zhvilluar këtë të hënë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Ibrahimaj tha se sistemi i ri do të përfshijë 54 institucione që kanë përgjegjësi ligjore për monitorimin dhe zbatimin e ligjit.
Sipas ministres, përmes këtij sistemi çdo qytetar apo biznes do të njoftohet në kohë reale për gjobat e vendosura, afatet e pagesës dhe të drejtën për të paraqitur ankim. Njoftimet do të dërgohen përmes telefonit dhe WhatsApp-it.
Ibrahimaj theksoi se synimi është që bizneset të mos përballen me penalitete për të cilat nuk kanë pasur dijeni, duke shmangur edhe kamatëvonesat që mund të krijohen për shkak të mungesës së informacionit.
“Është e rëndësishme që, kur një biznes merr një penalitet, të jetë i informuar jo vetëm mbi penalitetin që merr, por edhe në kohë që ky penalitet është vendosur. Të jetë i informuar në kohë për afatet e ankimimit dhe, sigurisht, të mos e gjejë veten me një penalitet të vendosur pa pasur informacion, i cili mund të gjenerojë edhe kamatëvonesa, por edhe të mos dijë të drejtat dhe detyrimet që ai ka”, u shpreh ministrja.
Ajo shtoi se përmes sistemit të ri, i gjithë informacioni do të jetë i centralizuar dhe i aksesueshëm, ndërsa bizneset dhe qytetarët do të kenë mundësi të njihen me bazën ligjore të penalitetit dhe procedurat e ankimit.
Në përfundim, Ibrahimaj falënderoi Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Agjencinë e Sigurimit të Depozitave dhe institucionet e përfshira në realizimin e sistemit, duke theksuar se e-Gjoba synon të rrisë transparencën, konkurrencën dhe të përmirësojë klimën e biznesit.




