Erion Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiaku i Tiranës nga Këshilli i Ministrave.
Ky hap i Veliajt tashmë bllokon automatikisht zgjedhjet e parakohshme për kryeqytetin deri në vendimin e Gjykatës.
Në ankimimin e dërguar në Kushtetuese, kryebashkiaku i shkarkuar i referohet nenit 62, i cili thekson se mungesa e tij në detyrë prej më shumë se tri muajsh nuk është për shkaqe që varen prej vullnetit të tij.
“Neni 62 i ligjit për vetëqeverisjen vendore, i interpretuar në pajtim me nenin 115 të Kushtetutës në bazë dhe për zbatim të së cilit ka dalë, e konkretizon këtë standard, përfshirë edhe rastin e mungesës 3-mujore, pa shkaqe objektive. Në rastin tonë, mungesa rrjedh nga një pamundësi objektive (paraburgimi), pra nuk bie në hipotezën e nenit 62, gërma “c”. Duke e trajtuar këtë mungesë objektive, si “shkak shkarkimi”, Këshilli i Ministrave ka aplikuar një kriter të ri, që s’gjendet në asnjë dispozitë juridike.”
Sipas Veliajt, Këshilli i Ministrave nuk ka respektuar ligjin, i cili sqaron dhe rastet e shkarkimit.
“Në mungesë të një autorizimi kushtetues, ligjvënësi nuk mund të shtojë vetë raste të tjera shkarkimi që nuk përfshihen në këtë parashikim dhe që Kushtetuta nuk i ka autorizuar që ligjvënësi ti bëjë. Për më tepër, edhe nëse i referohemi nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, ky i fundit parashikon vetë se është nxjerrë “në bazë dhe për zbatim të nenit 115 të Kushtetutës”, pra nuk mund të kuptohet dhe as të zbatohet i shkëputur nga neni 115, që është burimi i vetëm kushtetues i kompetencës për shkarkimin e një organi vendor të zgjedhur.”
Veliaj thotë se pavarësisht masës së sigurisë, vijimësia e ushtrimit të detyrave u mundesua përmes nënkryetares së bashkisë.
“Në rastin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, mungesa ishte rezultat i një mase sigurie, pra një pamundësi objektive, dhe për më tepër, vijimësia e funksionit u sigurua përmes zbatimit të nenit 64 i të njëjtit ligj, përmes emërimit prej Kryetarit të Bashkisë të nënkryetares së bashkisë që do të ushtronte kompetencat e kryetarit. Pra, në themel nuk kishte asnjë “shkelje të rëndë”, çka e bën aktin jo vetëm të pabazuar në kushtetutë, por edhe të pambështetur materialisht në rrethanat konkrete.”
Në Asamblenë Socialiste të 11 shtatorit, kryesocialisti Edi Rama lajmëroi nevojën për zgjedhje të parakohshme në Tiranë teksa bëri me dije dhe emrin e Ogerta Manastirliut si kandidate e mazhorancës për bashkinë e kryeqytetit.
Pas kësaj kërkese të kreut të qeverisë, anëtarësia socialiste në Këshillin Bashkiak kërkoi shkarkimin e Veliajt, e cila mori dhe mbështetjen e opozitës.
Erion Veliaj u arrestua në 10 shkurt të këtij viti me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme lidhur me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie./vizionplus.tv





