Lulzim Basha ka shpërndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-ministrit të Shëndetësisë Maksim Cikuli.

Jam i tronditur nga lajmi për largimin e parakohshëm nga jeta të mjekut, profesorit, politikanit, dhe mikut tim të çmuar, Maks Cikuli. Ngushëllimet e mia më të ndjera Zanës, Julianit dhe Sarës për humbjen e bashkëshortit dhe babait të tyre të dashur. Me mendje e zemër gjendem sot pranë tyre dhe gjithë miqve të Maksit në këtë ditë zie.

Kreu i PD shton se Profesor Cikuli e vuri gjithë jetën e tij në shërbim të shëndetit të njerëzve, si mjek, si profesor, si deputet dhe si ministër i shëndetësisë.

Ai ishte një nga reformatorët e spikatur që e udhëhoqën Shqipërinë në rrugën e çlirimit nga diktatura komuniste drejt ndërtimit të institucioneve demokratike dhe të ekonomisë së tregut të lirë. Dy herë ministër Shëndetësie, në vitet 1994-1998 e 2005-2008, profesor Cikuli kontribuoi në tranzicionin e sistemit të shëndetësisë dhe mbështeti investimet e mëdha në ndërtimin e sallave bashkëkohore kirurgjikale dhe sistemit të spitaleve rajonale.Maks Cikuli spikat si model i urtësisë politike dhe angazhimit inetelektul duke u dalluar në jetën parlamentare të vendit për kultivimin e dialogut dhe debatit civil si dhe mbrojtjen e pakompromis të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve. Partia Demokratike është e nderuar që ka patur në radhët e veta njërin nga themeluesit e pluralizmit në Shqipëri, simbol të angazhimit shoqëror, të profesionalizmit, të dijes dhe të humanzimit.

Basha mes të tjerash thotë se me ndarjen nga jeta të Maksim Cikulit, qytetaria kujton me repektin më të madh modelin e intelektualit, ndërsa demokratët  kanë humbur njërin nga përfaqësuesit e tyre të shquar .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *