Menjëherë pas reagimit publik të kryeministrit Edi Rama për përgjimet e “Ndrangheta”, u kundërpërgjigj Partia Demokratike. Përmes zëdhënëses Ina Zhupi, selia blu deklaroi se Rama nuk jep dot sqarime për lidhjet me krimin. Në një deklaratë për mediat, ajo bëri një paralelizëm mes rastit të Saimir Tahirit dhe të Erion Veliajt, e kërkoi dorëheqjen e këtij të fundit.

 

“Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës dhe janë lodhur duke dëgjuar Edi Ramën dhe justifikimet e tij. Edi Rama dhe Erion Veliaj e dinë sesa thellë janë futur në biznesin me mafian, prandaj nuk u japin qytetarëve përgjigje reale për përfshirjen në biznes me mafian italiane përmes lejeve të ndërtimit, koncesioneve apo tenderave. Minimalisht, Edi Rama, në vend të mallkimeve për median dhe mohimit të përgjimeve, siç bën gjithmonë, duhet të ruante me Veliajn të njëjtin standard si për Saimir Tahirin. Në të njëjtat rrethana, për përgjime të ngjashme nga Antimafia Italiane, Tahiri u largua me dorëheqje. Rama dhe marionetat e tij kanë dështuar në administrimin e vendit. Rama dhe marionetat e tij kanë 8 vite me premtime të pambajtura. Tani, Ramës dhe marionetave të tij u kanë shpërthyer skandalet në duar.”

 

Duke shprehur bindjen se shqiptarët nuk e besojnë më PS, Ina Zhupa nënvizoi se PD është gati për të sjellë ndryshimin.

 

“Askush nuk i beson më ata. Shqiptarët dinë më shumë se kaq. Më 25 prill ata do t’u tregojnë derën këtyre pushtetarëve të korruptuar. Është koha t’i themi mjaft një qeverie që punon vetëm për vete. Vendit i duhet ndryshimi dhe Partia Demokratike është gati për të sjellë ndryshimin. Për të ringritur ekonominë, për të fuqizuar rininë, për të siguruar një jetë dinjitoze për shqiptarët.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *