E mërkurë, 28 Tetor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

“Tym i zi” në Parlamentin e Kosovës, dështon sërish seanca, opozita akuzon Vetëvendosjen dhe Kurtin

Për të tetën herë me radhë, deputetët  e Kosovës kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin. Kandidatja e lëvizjes “Vetëvendosjes” për kryeparlamentare,  Albulena Haxhiu, për të gjashtën herë nuk mori mbështetjen.

Për të votuan 54  deputete, 44 ishin kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për  Haxhiun votuan  57 deputetë, por këtë të martë disa deputetë të LVV-së munguan në seancë.

Reklamë

Pas dështimit kryetari i Partisë  Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje  për bllokimin e procesit të krijimit të institucioneve të reja.

“I kërkoj falje qytetarëve të Kosovës për këtë tallje që po bëhet me  verdiktin e tyre nga ana e parisë së parë, e cila edhe sot për të tetën herë na mbledh sot në kuvend dhe sillet me mentalitetin e njëjtë”, tha Krasniqi.

Reklamë

Kraqniqi dha mesazhe  për partinë fituese të zgjedhjeve.

“E para, demokracia funksionon me shumicë, e jo me imponim. E dyta, institucionet janë të popullit, nuk janë të asnjë partie politike të veçantë. Dhe e treta, duhet ta kuptojnë të gjithë se koha e sundimit njëpartiak dhe e monizmit ka përfunduar. Sa më parë që t’i kuptojë LVV-ja këto tri çështje, aq më mirë për vendi”, tha Krasniqi.

Ndëkohë Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se insistimi i Vetëvendosjes për të propozuar Haxhiun për postin e kryeparlamentares e ka shndërruar Kuvendin “në një cirk”.

Nga ana tjetër  deputeti i Vetëvendosjes Hekuran Murati tha se shumë deputetë të opozitës duan të votojnë pro, por  këtë nuk jua lejojnë subjektet politike të tyre.

“Siç i dëgjuat edhe të tjerët pra ka akuza që po kërkohet të votohet me zor, përkundrazi kemi dëgjuar që deputetë individualë nga opozita kanë shprehur vullnetin që të dalin nga kjo situata dhe të votojnë për, megjithatë janë qëndrimet politike të subjekteve të tyre që nuk i lejojnë që të ndahen nga Grupi Parlamentar dhe nga vota uniforme që e kanë si grup”, tha Murati.

Nuk dihet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por nëse konstituimi i Kuvendit nuk do të arrihet  atëherë vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të reja.

Vazhdo të lexosh

Reklamë