Milan komplikoi ndjeshëm synimet për titullin kampion, pasi u ndal në barazimin e dytë radhazi në kampionat.

 

Këtë herë skuadra që i doli si pengesë ishte Torino, ekip që në fushën e vet pak javë më parë kishte ndalur edhe Interin , sikurse me zikaltrit edhe kësaj radhe në javën e 32 protagonist i madh ishte Etrit Berisha, që bëri disa pritje fantastike kundrejt skuadrës së Piolit.

 

Miqtë vuajtën shumë në fazën ofensive, teksa fakti që në dy takimet e fundit nuk kanë shënuar asnjë gol, është jo pak domethënës.

 

Ekip i lexueshëm në pjesën e parë, i ngadaltë në ndërtimin e aksioneve dhe me pak kërcënime në radhët e Berishës, i cili edhe kur thërritet në aksion është i gatshëm, në një gjuajte të Kalabrias në minutën e 24. Tek vendasit për t’u evidentuar një goditje e Riçit jashtë kuadratit.

 

Më shumë raste në pjesën e dytë, ndoshta edhe për meritë të Torinos që guxoi më shumë.

 

Skuadra e Juric, duke përfituar edhe nga dëshira e Milanit për të shtyrë përpara, provoi ta kapë në befasi në kundërsulm skuadrën kryesuese, por në dy raste Menjon ishte fantastik në pritjet ndaj Vojvodes dhe Pelegrit. Në krahun tjetër, rastin më të pastër për Milanin e kishte Tonali, por Berisha nuk lejoi prekjen e rrjetës.

 

Deri në fund përtej një pretendimi për penallti nga Hernandez dhe dy-tre tentativave të Leao dhe Zhiru,  Milan nuk mundi të fitojë. Tani diferenca nga Interi dhe Napoli është vetëm një pikë, Mirëpo zikaltrit kanë një ndeshje për të rikuperuar, ndaj tani gjërat nuk janë më në dorën e kuqezinjve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *