Subscribe

Skema e mashtrimit me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar e zbuluar një ditë më parë, ka marrë të tjera përmasa. Sipas të dhënave hetimi për këtë skandal është shtrirë edhe tek noterët, punonjësit e bankave të nivelit të dytë apo edhe zyra kontabiliteti, të cilat dyshohet se janë përfshirë në këtë skemë, e cila i ka kushtuar shtetit një dëm prej 18 miliard lekë.

 

“Nën hetim janë disa zyra kontabilitetit, zyra noterie, punonjës të bankave të nivelit të dytë, të cilët dyshohet se në bashkëpunim kanë realizuar të gjithë procesin, duke nisur që nga krijimi i këtyre subjekteve fiktivë, realizimin e lidhjes së këtyre subjekteve me palët shkarkuese dhe ato përfituese, nëpërmjet faturimeve e deri tek transaksionet bankare”, shprehet Ardian Shehu, drejtor i hetimit tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

 

Duke ju referuar të dhënave, disa kompani fiktive të krijuara në vitin 2017 blinin produkte ushqimore, nga kompani importuese që mbulonin shitjet e bëra pa TVSH dhe shisnin beton duke shkarkuar TVSH në kompani të treta. Nëpërmjet kësaj skeme, kompanitë arrinin të ulnin vlerat e tatimeve që duhet të paguanin në shtet.

 

“Kjo veprimtari kriminale ka bërë të mundur që subjektet importues të shkarkonin inventarin e tyre, duke kryer shitje fiktive, me qëllim që subjektet e ndërmjetëm të krijuar posaçërisht për këtë skemë më pas të kryenin shitjet e tyre në subjektet përfituese që operojnë në fushën e ndërtimit. Dëmi konsiston në shmangien e pagesave të TVSH si dhe tatimit fitimit, fakt ky i cili realizohet nëpërmjet rritjes së shpenzimeve nga ana e kompanive.”

 

Kompanitë fiktive që shërbenin si ndërmjetëse ishin të shtrira në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Polica arrestoi 13 persona, ndërsa 12 të tjerë janë në kërkim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *