Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.3 të shkallës Rihter goditi Zagrebin, mëngjesin e kësaj të diele.

 

Mediat vendase shkruajnë se dëmet janë të mëdha.  Një vajzë 15-vjeçare besohet të ketë marrë lëndime të shumta dhe ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.

 

Autoritetet ndërkohë kanë raportuar se bëhet fjalë për disa të lënduar të tjerë. Por qytetarët kroatë, të cilët u detyruan të dalin nga banesat e tyre, janë të shqetësuar edhe për përhapjen e koronavirusit. Ata janë përpjekur të shmangin hapsirat publike, parqet dhe sheshet duke qëndruar larg njëri tjetrit. Deri më tani në vend janë konfirmuar 206 persona të infektuar me Covid-19.

 

Rrugët u mbushën me njerëz të frikësuar, ndërsa pllakat e betonit kishin rënë nga ndërtesat disa katëshe. Edhe Katedralja e famshme e Zagrebit, një pjesë e së cilës është në rikonstruksion, është dëmtuar. 2 lëkundje të tjera me magnitudë mbi 3 janë regjistruar orët e fundit.

 

Kryeministri Andrej Plenkoviç e cilësoi tërmetin e kësaj të diele, si më të madhin që ka goditur Zagrebin në 140 vitet e fundit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë. Lëkundjet e forta të tokës në Kroaci janë ndjerë edhe në jug të Austrisë dhe në Slloveni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *