Subscribe

Kane kaluar me shume se 4 muaj nga hapja e ofertave, por ende sot nuk kemi nje fitues apo nje anulim te tenderit te shume kundërshtuar, ate te dhënies me koncesion, te mirëmbajtjes se Rrugës se Kombit. Dy institucionet publike, Ministria e Transporteve si dhe Komisioni i Prokurimit Publik, janë konfliktuar me njera – tjetrën, konflikt i cili deri me tani, ka lënë pezull procedurat. Ministria, si institucioni përgjegjës, por edhe IFC si konsulent i ketij procesi, i qëndron variantit te pare, se fitues është konsorciumi turk, ndërsa Komisioni mbështet bashkimin e kompanive shqiptare, i cili rezulton te ketë mangësi te theksuara ne eksperience. Vizion Plus ka zbardhur korrespodencën e këtyre dy institucioneve, qe ndajnë mendime te ndryshme. Për Ministrinë, konsorciumi “Catalyst”, pra ai shqiptar, s’ka eksperience ne te tilla projekte, siç janë rrugët me pagese. Ndërkohe qe nje kriter te tille e plotëson ai turk. “Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Catalyst” nuk ka kualifikimet e nevojshme per te realizuar këtë kontrate. Konkretisht, ky bashkim ka vërtetuar eksperiencën e tij ne ndërtim, mirëmbajtje te rrugëve, operim ne tunele dhe deri diku ne mirëmbajtje te urave. Komisioni doli ne konkluzionin se nuk ka eksperience ne operimin e rrugëve me pagese, i cili është edhe kriteri me i rëndësishëm i kualifikimit ne këtë projekt,” – thuhet ne vendimin e Komisionit te Vlerësimit te Ofertave dërguar Komisionit te Prokurimit Publik. Por Ministria ne qëndrimin e saj, ngre pikëpyetje edhe mbi mundësitë financiare, qe ka konsorciumi shqiptar. “Bashkimi i përkohshëm “Catalyst”, nuk ka vërtetuar te ketë eksperience ne financimin e projekteve te ngjashme, gjë qe ve ne dyshim aftësitë e tyre, per te gjetur fondet e nevojshme per aktivitetet qe lidhen me këtë projekt.”-thuhet me tej ne argumentet e Ministrisë. Por këto argumente, nuk e kane bindur Komisionin e Prokurimit, i cili pranoi një ankimim jashtë afateve ligjore. Ministri i ri i Transporteve ndërkohe deklaroi se brenda dy ditëve, do te ketë nje vendimmarrje përfundimtare për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *