Hunter Biden, djali i presidentit amerikan, është paditur nga departamenti i drejtësisë për 9 shkelje ligjore që lidhen me taksat në Kaliforni.

 

Konkretisht, Biden akuzohet se nuk ka paguar taksat nga viti 2016 deri në 2019, ka kryer evazion fiskal dhe paraqitje të deklaratave tatimore false në vitin 2018. Sipas aktakuzës, bëhet fjalë për të paktën 1.4 milionë dollarë të shmangura nga tatimet.

 

Kjo është hera e dytë që djali i presidentit Biden paditet duke i hedhur kështu më shumë benzinë zjarrit që republikanët kanë ndezur përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

 

Nëse shpallet fajtor, djali i presidentit mund të rrezikojë deri në 17 vite burg.

 

Avokatët e presidentit Biden, por edhe Shtëpia e Bardhë kanë refuzuar të japin një koment në lidhje me akuzat e fundit.

 

Padia e re ka dalë në dritë përpara vizitës që presidenti do të bëjë në Kaliforninë e jugut dhe në një kohë që republikanët po kërkojnë përmes procedurave hetimin dhe shkarkimin e Biden, për shkak të skandaleve të djalit të tij.

 

Djali i presidentit të SHBA është i pari në histori i akuzuar penalisht. Ai është paditur edhe më herët për akuza që kanë të bëjnë me taksat dhe armëmbajtje pa leje.  /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *