Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi deklaroi se e vetmja zgjidhje për politikën dhe Shqipërinë është të dalë në zgjedhje një parti që garanton ndryshimin. Duke ju referuar këtu Bindjes Demokratike, ai tha se kjo gjë duhet bërë duke nisur që nga 25 prilli sepse është diçka që liderët aktualë nuk e duan të ndodhë.

 

“Ka një mënyrë tjetër, jo thjesht për t’u prishur terezinë udhëheqësve të mëdhenj, por për ta trazuar realisht moçalin politik në Shqipëri. T’u dalësh përballë në zgjedhje si një alternativë tjetër, që kërkon dhe mund ta sjellë ndryshimin dhe jo vetëm rotacionin. I cili mund të mos arrihet në një ditë, por është ngjarje e sigurt se do të vijë shpejt, nëse do t’u imponohemi me vizion, me projekt dhe në fund fare me vota, duke filluar që nga 25 prilli. Është e vetmja gjë që ata nuk duan, ndaj është edhe e vetmja punë që ne duhet të bëjmë.”

 

Thirrjet ai i bëri në “Facebook” teksa tregoi panoramën e politikës aktuale në Shqipëri.

 

“Nëse thua çdo ditë se kjo është një qeveri e korruptuar, arrogante, e kriminalizuar dhe e stërkonsumuar, nuk bën ndonjë përshtypje të madhe, por kam frikë se edhe ndonjë efekt të rëndësishëm nuk ka. Por edhe nëse ankohesh gjithë kohën për opozitën e squllët, të kompromentuar dhe pa ide të Lulzim Bashës, nuk është se ke thënë ndonjë gjë të re. Mund edhe të kalosh pastaj në regjistër më të lartë duke thënë që janë bashkë, janë të dy njësoj, kanë marrëveshje midis tyre dhe e kanë lënë t’i hipin me radhë kalit të pushtetit, por kjo nuk do të ndryshojë asgjë. Madje atyre vetë, jo vetëm nuk u prishet ndonjë punë nga kjo, por jam i bindur se u intereson”, tha Astrit Patozi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *