E shtunë, 10 Tetor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef 2 Eps) Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sociale

Të paktën 27 të plagosur nga tërmeti me magnitudë 7.7 në Panama! Mbi 80 lëkundje pasuese

Të paktën 27 persona kanë mbetur të plagosur nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë që goditi Panamanë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesa, infrastrukturë dhe rrugë. Banorët në kryeqytet dolën të tmerruar nga ndërtesat, ndërsa autoritetet janë në gatishmëri pas regjistrimit të më shumë se 80 pasgoditjeve.

Deri më tani nuk ka raportime për viktima, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për të vlerësuar dëmet dhe për të mbërritur në zonat më të prekura.

Reklamë

Lëkundjet e forta u ndjenë në të gjithë vendin e Amerikës Qendrore, i cili ka rreth 4.5 milionë banorë.

Në qytetin e Panamasë, rreth 200 kilometra larg epiqendrës, banorët u larguan me nxitim nga banesat.

“U frikësova, sepse lëkundjet ishin shumë të forta dhe zgjatën për një kohë të gjatë”, deklaroi një banor për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP).

Dëshmitarë të tjerë raportuan se sende ranë në kuzhina dhe se njerëzit qëndronin jashtë ndërtesave nga frika e pasgoditjeve.

Presidenti: Përballemi me një katastrofë të madhe

Presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino, deklaroi se vendi po përballet me një situatë të rëndë, duke theksuar se disa rrugë ishin shembur plotësisht.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Fernando Boyd, qyteti Tonosí në provincën Los Santos ishte izoluar plotësisht.

“Po përpiqemi të gjejmë një mënyrë për të mbërritur atje nga ajri, pasi qasja nga toka është e pamundur”, deklaroi ministri.

Edhe aeroporti ndërkombëtar i qytetit të Panamasë u mbyll përkohësisht, ndërsa disa fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera si masë paraprake.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti u regjistrua në orën 12:56, sipas kohës lokale, me epiqendër rreth 10 kilometra nga qyteti i vogël Pitalosa Arriba, në provincën qendrore Herrera.

Pas lëkundjeve, për zonën e Paqësorit lindor u lëshua një paralajmërim për cunami, i cili më vonë u anulua.

Instituti lokal i Gjeoshkencave ka regjistruar më shumë se 80 pasgoditje, njëra prej të cilave me magnitudë mbi 6 ballë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se po e ndiqte nga afër situatën dhe se, me kërkesë të qeverisë panameze, po mobilizoheshin me shpejtësi burime dhe personel për të ofruar ndihmë.

Ndërkohë, Autoriteti i Kanalit të Panamasë njoftoi se lundrimi në kanalin që lidh Oqeanin Paqësor me atë Atlantik vijonte normalisht dhe nuk ishte prekur nga tërmeti.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.