E kërkojnë për arbitrimin, por bisedat përfundojnë ndryshe! Rrëfimi i arbitres spanjolle

Carla García Alarcón, arbitra 23-vjeçare në Spanjë, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje, jo vetëm për paraqitjet e saj në fushën e blertë, por edhe për popullaritetin në rrjetet sociale, ku numëron më shumë se 220 mijë ndjekës në Instagram.
E ftuar në episodin e 102-të të podcastit “Lover Studios”, ajo ka rrëfyer disa nga situatat e pazakonta me të cilat përballet pas përfundimit të ndeshjeve. Sipas saj, emri i plotë publikohet në raportet zyrtare të takimeve dhe kjo u jep mundësi personave të ndryshëm ta kërkojnë në Instagram.
Mesazhet fillimisht lidhen me futbollin dhe arbitrimin, me komente si: “Ke bërë një punë të shkëlqyer, arbitre” apo “Ai nuk ishte karton”. Por, sipas Carla-s, jo rrallë bisedat marrin një drejtim tjetër, larg diskutimeve sportive,duke iu referuar ngacmimeve.

Ajo e ka treguar këtë fenomen me humor, duke e konsideruar një nga situatat që i duhet të përballojë në profesionin e saj.
Rrugëtimi i Carla-s drejt arbitrimit nisi falë ndikimit të babait të saj. Aktualisht, 23-vjeçarja drejton ndeshje në kategoritë e të rinjve dhe në futbollin e të rriturve, ndërsa synimi i saj më i madh është të arrijë një ditë në LaLiga.
Pavarësisht vëmendjes që merr jashtë fushës, Carla dëshiron të ndërtojë karrierën mbi aftësitë dhe vendimet e saj si arbitre.
Në një profesion ku gratë vazhdojnë të kërkojnë më shumë hapësirë dhe përfaqësim, historia e saj është një tjetër shembull i ambicies për të arritur majat e arbitrimit.




