“Nuk e pyet kush PS-në. Vendimi u dha nga një njeri”, Spiropali zbulon çfarë ndodhi në mbledhjen e grupit: Kolegët ishin të shokuar

Elisa Spiropali ka reaguar nga Kryesia e Kuvendit pas përjashtimit nga Partia Socialiste, duke kritikuar mënyrën se si janë marrë vendimet brenda forcës politike ku ka bërë karrierën e saj.
Ajo deklaroi se në Asamblenë e PS-së nuk është zhvilluar asnjë votim dhe se nuk është mbajtur as procesverbal për vendimmarrjen. Sipas Spiropalit, vendimi është legjitimuar pa iu dhënë asaj mundësia të ishte e pranishme dhe të shprehte qëndrimin e saj.
“Nuk e pyet kush PS-në. Këto janë vendime që merren në zyra dhe salla të mbyllura me propozimin e një njeriu. Në atë Asamble të PS-së nuk pati asnjë votim. Nuk mori njeri përsipër të mbante një procesverbal, njerëzit ishin të shokuar. Sot karakteri i personalizuar i pushtetit, më keq do të shkojë, nëse nuk kuptojmë se duhet të reformohemi. Gjenerata Z nuk është armiku, është themeli i së ardhmes.
Unë as isha në atë mbledhje grupi, as nuk kishte rend dite. Aty nuk u bë votim, u bë legjitimim i një vendimi jo legjitim. Kolegë të nderuar kërkuan që unë minimalisht të isha aty dhe të flisja. Nuk u dha kjo mundësi.
Kaq e madhe qenka frika nga fjalët e një gruaje, le më veprimi. Gratë nuk janë fasadë për t’i vendosur aty kur ka fushatë e të duken bukur. Por kur qëndrimet nuk përputhen. S’ka rëndësi a jam unë flamingoja e parë.”, tha Spiropali.
/vizionplus.tv




