E mërkurë, 25 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 51 sekonda më parë
Politikë

“Pushteti mbahet nga besimi”, Spiropali: Të largohen ata që kanë abuzuar dhe treguar arrogancë! Nuk iki nga fronti

Elisa Spiropali ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga Partia Socialiste, pavarësisht përjashtimit nga grupi parlamentar dhe forumet e partisë. E pyetur nëse do të vijojë betejën brenda PS-së apo do të krijojë një lëvizje të re politike, si dhe nëse do të votojë kundër vendimeve të mazhorancës, Spiropali deklaroi se mbetet një socialiste e bindur dhe se nuk ka arsye të largohet nga ajo që e cilësoi si frontin e saj politik.

Ajo akuzoi drejtuesit për arbitraritet në vendimmarrje dhe bëri thirrje për reagim ndaj modelit aktual të drejtimit të Partisë Socialiste. Spiropali theksoi se përgjegjësia për ndryshimin nuk është më çështje e një individi, por e një modeli politik që, sipas saj, nuk njeh përfaqësimin e qytetarëve.

“Nuk mund të ketë vendimmarrje të tilla që më shumë se legjitimitet shprehin arbitraritet. Unë jam një socialiste e bindur, jam një e majtë, por e konsideroj veten edhe një shqiptare të mirë, patriote të këtij vendi. Nuk di që në detyrat e mia publike të kem bërë ndonjë turp. E kam përfaqësuar Shqipërinë mirë dhe aty ku meriton të përfaqësohet.

Unë do ta bëj betejën time aty. Për t’u larguar duhet të largohen ata që i kanë rënë Shqipërisë në qafë, ata që vendimmarrja e tyre ka ndikuar në jetën e njerëzve, ata që kanë abuzuar me pushtetin, ata që tregojnë arrogancë në sjelljen e tyre. Unë nuk kam arsye të largohem nga fronti, përkundrazi.

Reklamë

U bëj thirrje të gjithë të majtëve, socialistëve, progresistëve, atyre që besojnë se PS-ja dhe e majta shqiptare i kanë rrënjët te Fan Noli, i kanë rrënjët te socializmi demokratik. Po çfarë lidhje kanë socialistët me këto sjellje dhe këto akte që nuk i bëjnë nder PS-së, ku unë kam vënë fytyrën? Kam dhënë gjithçka dhe jam krenare. Nuk pendohem. Ne të gjithë kemi përgjegjësi.

Pushteti mbahet nga besimi. Të gjithë njerëzit që duan ndryshimin e këtij modeli, kjo nuk është më çështje e një njeriu, është çështje e një modeli politik i cili nuk njeh përfaqësimin. Prandaj dalin në rrugë ata dhe thonë: ‘Nuk na përfaqësoni’.

Aty ka njerëz që vetë nuk e kanë guximin të shohin njëri-tjetrin në sy për vendimmarrjet. Dje më kanë shkuar shumë deputetë, 40 veta as nuk e kanë ngritur dorën fare. Nuk kishte votim për këtë gjë, kishte vetëm legjitimim të një vendimmarrjeje”, tha Spiropali.

Me këtë qëndrim, Spiropali sinjalizoi se do ta vijojë përballjen politike brenda së majtës, duke mos përjashtuar përgjegjësinë e saj dhe të kolegëve për mënyrën se si është konsoliduar pushteti në Partinë Socialiste. Ajo nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse do të votojë kundër vendimeve të mazhorancës, por vuri në pikëpyetje legjitimitetin e vendimmarrjeve që, sipas saj, shprehin arbitraritet.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.