Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e ka forcuar unitetin në Bashkimin Evropian si kurrë më parë – jo vetëm për udhëheqësit e tij, por edhe për evropianët e zakonshëm. Por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant, njofton se çfarë do të thotë kjo për BE-në dhe nëse ky unitet mund të zgjasë.

 

Një tjetër tubim për Ukrainën zhvillohet në Sheshin e Republikës në Paris – një nga qindra tubime të zhvilluara rishtazi në Evropë. Përkrah flamurit ukrainas dhe flamujve të tjerë, ka edhe flamuj të Bashkimit Evropian. Njerëzit këtu thonë se janë krenarë që janë shtetas evropianë.

“Njerëzit në Kiev po vdesin mbi barrikada me flamuj evropianë. Është e lidhur. Gjithçka është shumë e lidhur”, thotë Lukas Novak, biolog nga Çekia që jeton në Paris.

“Për mua, Evropa është pjesë e kulturës time. Kemi kufij të përbashkët me Belgjikën, Italinë dhe Gjermaninë. Dhe për mua, Evropa do të thotë paqe”, thotë Christophe Migault, banor i Parisit.

 

Që kur Rusia sulmoi Ukrainën në muajin shkurt, Bashkimi Evropian i përbërë nga 27 vende ka marrë disa vendime historike. U vendosën sanksione ndaj Rusisë, u mirëpritën rreth tre milionë refugjatë ukrainas dhe u dërguan për herë të parë miliona dollarë paisje ushtarake.

 

Disa anketime të fundit tregojnë se shtetasit e vendeve të BE-së i mbështesin me forcë këto dhe masa të tjera në nivele të pahasura më parë.

“BE-ja ka kapacitetin për të vepruar. Kur ka vullnetin për të vepruar, atëherë hidhet në veprim. Dhe evropianët e mbështesin shumë këtë”, i thotë Zërit të Amerikës Tara Varma, nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

 

Nuk ka qenë gjithnjë kështu. BE-ja perceptohet shpesh si shumë burokratike… duke vendosur kufizime, si p.sh. edhe për përmasat e bananeve.

 

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian shoqërohen zakonisht nga një pjesëmarrje e ulët në votime – në veçanti në vende si Franca ku euroskepticizmi është i lartë.

 

Dalja e Britanisë nga BE-ja gjithashtu ka ngjallur thirrje në vende të tjera evropiane për të vepruar në të njëjtën mënyrë.

 

Prandaj duket paradoksale që një luftë në një vend jo-anëtar, si Ukraina, do të krijonte ndjenja kaq të forta pro-Bashkimit Evropian.

 

“Ekziston ndjesia se sulmi në Ukrainë përfaqëson një sulm ndaj vlerave evropiane dhe ndaj demokracisë. Dhe përtej Ukrainës, ekziston edhe frika për vetë evropianët, dhe për integritetin e BE-së dhe paqen në Evropë”, i thotë Zërit të Amerikës Gilles Finchelstein, drejtor i Fondacionit “Jean-Jaures”.

 

Sot, Evropa dhe lufta në Ukrainë janë bërë tema kyçe elektorale në Hungari, ku Kryeministri Viktor Orban, i cili u përplas me Brukselin dhe kultivoi marrëdhënien e tij me udhëheqësin rus Vladimir Putin, po kandidon përballë rivalit të tij Peter Marki-Zay, i cili është mbështetës i Bashkimit Evropian.

Po kështu edhe në Francë, ku Presidenti aktual Emmanuel Macron, një mbështetës i fortë i BE-së, kandidon përballë rivalëve nga e majta dhe e djathta e skajshme që dëshirojnë më pak lidhje me Brukselin. Ndërkohë nuk ka ndonjë shenjë se po zbehet mbështetja për Ukrainën.

“Shtetasit evropianë po e bëjnë këtë për Ukrainën, por edhe sepse i frikësohen edhe asaj që mund të pasojë për ta. Pra, e kuptojnë që duhet t’i paraprijnë”, thotë zonja Varma.

Shoku i luftës në pragun e shtëpisë duket se i ka ndërgjegjësuar shtetasit e vendeve të BE-së se sa e rëndësishme është të jetojnë në një Evropë të fortë, paqësore dhe të bashkuar./ Marrë nga VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *