Një stuhi e fuqishme ka goditur Stambollin dhe pjesë të tjera të Turqisë të hënën, duke vrarë të paktën një person dhe duke shkaktuar dëme të shumta në qytetin me 15 milionë banorë.

 

Një grua vdiq në lagjen Esenyurt të Stambollit, ku erëra të forta shkatërruan një pjesë të një çatie e cila ra mbi gruan dhe fëmijën e saj, njoftoi agjencia shtetërore turke Anadolu. Fëmija mbijetoi porse me lëndime të ndryshme.

 

Në një pjesë tjetër në Stamboll, erërat rrëzuan një objekt , shkulën pemë dhe përmbysën të paktën tre kamionë, raportoi televizioni privat NTV. Të paktën tetë persona u plagosën.

 

Bosfori, rruga e ngushtë ujore që ndan qytetin, u mbyll për trafikun detar dhe shërbimet e trageteve u anuluan.

 

Të paktën gjashtë fluturime të Turkish Airlines të planifikuara për t’u ulur në Stamboll u devijuan në qytetet e tjera si në Ankara dhe Izmir, tha një zëdhënës i linjës ajrore.

 

Erërat e forta gjithashtu detyruan autoritetet të anulojnë shërbimet e trageteve midis vendpushimeve bregdetare të Bodrumit dhe Datca-s, njoftoi agjencia private e lajmeve DHA./ Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published.