Pasditen e kësaj të hëne do të nisë punimet sesioni i ri i Parlamentit, ku debati politik pritet të ashpërsohet për shkak të afrimit të zgjedhjeve lokale, të cilat do të zhvillohen mes 15 prillit dhe 15 majit.

 

Në funksion të zgjedhjeve lokale parlamenti ka dhe një muaj kohë të vendosë se çfarë do të bëjë me ndarjen territoriale; nëse do të ruajë ndarjen aktuale me 61 bashki apo do të dëgjojë opozitën, e cila kërkon 80 deri në 90 bashki.

 

Dy grupimet në Partinë Demokratike kanë përgatitur secila nga një draft ku kërkojnë shtimin e numrit të bashkive, por deri më tani Partia Socialiste ka mbrojtur ndarjen territoriale të miratuar në vitin 2014, pa e fshehur bindjen se Shqipëria duhet të ketë më pak bashki.

 

Nga ana tjetër, debati i nisur në fund të muajit korrik për kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta pritet të dominojë javët e para të sesionit të ri parlamentar. Pas gjetjeve të Autoritetit për Hapjen e dosjeve, se ish-presidenti i Republikës Meta ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit, edhe pse vetë Meta i ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar politike, mazhoranca dhe deputetët e PD të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj kanë depozituar në parlament 5 nisma ligjore që lidhen me komunizmin.

 

Deri në 30 shtator parlamenti pritet të votojë dy kërkesat e Autoritetit të Dosjeve, e para ka të bëjë me riverifikimin e të gjithë personave që kanë kaluar filtrin e dy komisioneve në vitet 90, siç është rasti i Ilir Metës. Nisma e dytë është vendosja e detyrimit në kodin zgjedhor që çdo kandidat për bashki apo parlament duhet të verifikohet nëse ka pasur a jo lidhje me Sigurimin e Shtetit.

 

Ndërsa demokrati Enkelejd Alibeaj ka depozituar 3 nisma ligjore, e para synon hapjen e të gjitha dosjeve, e dyta synon dekomunistizimin dhe e treta ka të bëjë me shndërrimi e Burgut të Spaçit dhe Kampit të Internimit të Tepelenës në Muze Kombëtar. Parlamenti në këtë sesion do të vendosë edhe për kërkesën e opozitës për heqjen e mandatit të deputetes dhe ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

 

Por edhe në këtë sesion Partia Demokratike do të vazhdojë të luftojë brenda vetes dhe kriza në partinë më të madhe të opozitës është thelluar. Enkelejd Alibeaj ka siguruar mbështetjen e 27 deputetëve për të qëndruar kryetar i grupit parlamentar; por kreu i PD Sali Berisha pritet që javën e ardhshme të çojë një letër në Kuvend për të sqaruar se kryetar i grupit parlamentar të PD është Luçiano Boçi. E në këtë situatë ka pak gjasa që PD të shkojë e bashkuar në zgjedhjet e ardhshme vendore .

Leave a Reply

Your email address will not be published.