Sot seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në fokus ndryshimi i Ligjit për Specialen

Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë sot seancë të jashtëzakonshme, ku në pikën e parë të rendit të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Para nisjes së seancës plenare, është mbledhur Komisioni për Legjislacion, i cili ka shqyrtuar Projektligjin dhe aspektet juridike të tij.
Komisioni për Legjislacion e ka miratuar në lexim të parë Projektligjin, me 9 vota pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Pas miratimit në Komision, Projektligji pritet të procedohet për shqyrtim dhe votim në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.
Seanca e Kuvendit është parashikuar të nisë në ora 09:00, ndërsa Projektligji për Dhomat e Specializuara është pika e parë e rendit të ditës.
Projektligji parasheh ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Gjatë mbledhjes, Komisioni ka shqyrtuar përmbajtjen e Projektligjit, përfshirë aspektet juridike dhe përputhshmërinë e tij me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit.
Qeveria e Kosovës kishte hapur të premten rrugën për procedimin e nismës për ndryshimin e këtij ligji, duke konstatuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e Projektligjit në Kuvend.
Nisma për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Tashmë pritet vendimi i deputetëve në seancën plenare, ku Projektligji do të shqyrtohet dhe votohet pas miratimit të tij në lexim të parë nga Komisioni për Legjislacion.




